Meta njofton lehtësira të tjera ekonomike: Dje takova Ahmetaj, shpresoj të ketë reflektim

Tuesday, 31 Mars 2020 22:21

Qeveria ka përgatitur një paketë të parë për t'iu përgjigjur krizës ekonomike të shkaktuar nga koronavirusi, por Presidenti Ilir Meta thotë se ka nevojë për masa shtesë dhe më të detajuara.

Për këtë arsye tha ai në një intervistë për "Tempora" në Rtv Ora, ka pasur një takim një ditë më parë me Ministrin Ahmetaj.

Ilir Meta: Ky është një shqetësim kryesor. Dje jam takuar me Ministrin Ahmetaj dhe kemi diskutuar mbi këtë situatë, detajimin e paketës së parë të qeverisë, rëndësinë e marrjes së masave të tjera për lehtësimin e biznesit, sipërmarrjes në bashkëpunim dhe me BSH dhe bankat e nivelit të dytë. Krijimin e lehtësirave dhe në orientimin e pushtetit vendor të gjitha bashkive për të ndihmuar shtresat më në nevojë për të orientuar të gjitha investimet dhe shpenzimet kryesore në këtë drejtim, për të evituar abuzimet në ndarjen e ndihmave apo trajtimin e personave që kanë nevojë për ndihmë dhe mbështetje të veçantë. Pakënaqësira ka në situatë normale jo në një situatë të tillë.Ka nevojë për një qasje dhe më proaktive dhe konkrete. Shpresoj që në ditët që vinë do të ketë një reflektim për të adresuar më drejt shqetësime objektive që vinë natyrshëm dhe nga sipërmarrjet, sidomos ato që po dëmtohen dhe më shumë dhe qytetarët mbi të cilët po rëndon më shumë kjo krizë.

Duke folur për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombërtare, Meta tha se nuk ka rrezik për sigurinë publike por se dalja nga kontrolli e emergjencës shëndetësore q mund të krijonte probleme të sigurisë publike apo edhe më shumë.

Ilir Meta: Zhvilluam mbledhjen e Sigurisë Kombëtare jo se jemi në rrezik për sigurinë publike por jemi në situatë të rrezikut të madh të shëndetit publik që shoqërohet dhe me pasoja serioze ekonomike dhe sociale.Në një rast të daljes nga kontrolli apo paniku mund të shkonte edhe drejt një situate që mund të krijonte probleme të sigurisë publike apo edhe më shumë. Besoj se jemi në një situatë terësisht të menaxhueshme dhe të kontrollueshme për momentin nisur nga të dhënat e deritanishme nga pikëpamja e shëndetit publik dhe kontrollit të kësaj pandemie. Çdo pasojë në ekonomi varet nga efektiviteti, nga koha dhe cilësia e menaxhimit të kësaj krize që përballemi me pandemi. Sa më mirë të përballohet dhe sa më efikase të jenë këto masa aq më shpejt do të dilet nga kjo situatë. Ka një paketë të parë në përgjigje të kësaj situate që është duke u detajuar më tej dhe natyrisht do të ketë dhe hapa të tjerë nëse situata do të vijojë më tej në përgjigje të zbutjes së këtyre problemeve ekonomike dhe sociale.

Login to post comments