Media italiane, tepër injorante për çështjet e jashtme, është mallëngjyer nga ‘mirësia’ e liderit shqiptar Edi Rama që ka dërguar këtu 30 mjekë e infermierë. Bëhet fjalë për një akt politik dhe ekonomik, jo akt mirësie.
Popullsia shqiptare në Itali është rreth 500 mijë, një e pesta e gjithë popullsisë shqiptare, që gjeneron burime të rëndësishme për ekonominë e Tiranës. Një popullsi për t'u mbajtur nën kontroll pasi është e mësuar me futje të vazhdueshme që ndoshta përbëjnë një të tretën e prodhimit të brendshëm bruto të Shqipërisë. Rama nuk është i mirë, është dinak e i zgjuar. Bënte përkthyesin për gazetarët në vitet '90 gjatë revoltës kundër Berishës, e njohim mirë.
Rama do shumë më tepër Shtetet e Bashkuara dhe Turqinë e Erdoganit se Italinë, por i është mirënjohës Romës për dy gjëra:
1. Italia ka përkrahur hapjen e negociatave për hyrjen e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE, që mori dritën e gjelbër nga Brukseli pikërisht tani, më 27 mars.
2. Rama i është mirënjohës Italisë për ndihmat e çdo lloji që merr, edhe në fushën e sigurisë dhe narkotrafikut, e sidomos sepse shqiptarët në Itali janë shtyllat e ekonomisë së tij.
Aq shumë e do Edi Rama Italinë saqë ishte gati të pranonte shembjen e godinës së parlamentit në Tiranë e të ndërtonte një tjetër me paratë e Erdoganit, financues tashmë i shkollave e xhamive. Ishte D'Alema ai që e bindi të mos e bënte.
Pjesa më e madhe e të ardhurave të familjeve shqiptare nuk varet nga aktivitete në vend por nga paratë e emigrantëve. Në mungesë të prurjeve nga jashtë, është llogaritur që rreth 40% e familjeve shqiptare do të jetonte në limitin e varfërisë, sidomos po të kihet parasysh që prurjet nga emigrantët përbëjnë të paktën 20% të prodhimit të brendshëm, ndërkohë që pjesa më e madhe e prurjeve në Shqipëri shmang çdo kontroll ekonomik e fiskal.
Sigurisht, Shqipëria e Italia kanë lidhje historike e kulturore thuajse mijëvjeçare, por edhe të vonshme.
Më 7 mars 1991 Italia mësoi se për popullin shqiptar ishte Amerika. Në Shqipëri po shembej regjimi komunist i Enver Hoxhës që e kishte çuar vendin e shqiponjave në izolim e varfëri. Të nxitur nga bota që shihnin në reklamat e televizioneve italiane, 25 mijë provuan kalimin e Adriatikut.
Erdhën kryesisht nga fshatrat, ku banonte 70% e popullsisë, duke përdorur anije tregtare dhe barka për të mbërritur në portin e Brindizit plot me burra, gra e fëmijë të uritur. Qyteti, që nuk ishte i përgatitur të priste turma të tilla, u gjend në mesin e një emergjence humanitare.
Qeveria e gjashtë Andreotti priti pesë ditë para se të ndërhynte, duke vendosur t'i ndihmonte boat people (njerëzit e barkave): disa u transferuan në Siçili, të tjerë në Basilicata, të tjerë në banesa private e qendra sociale puljeze.
Ky ishte fillimi. 30 vjet pas atij që shumë gazeta e quajtën ‘sulm’ apo ‘pushtim’, shqiptarët janë zhdukur pothuajse nga kronikat kombëtare.
Sot, sipas të dhënave të Ministrisë së Punës, qytetarët me origjinë shqiptare me qëndrim të rregullt në Itali janë 430 mijë. Me 12% të totali përfaqësojnë - pas marokenëve – grupin më të madh të qytetarëve jo nga BE që jetojnë në Itali, kryesisht në Lombardi, Emlia e Toscana.
Pjesa më e madhe e fuqisë punëtore shqiptare përqendrohet në sektorin industrial (47%), në bujqësi e ndërtim, ndërsa numri i titullarëve të firmave me origjinë shqiptare e kalon 8%.
Pra shqiptarët japin një kontribut të rëndësishëm për prodhimin e brendshëm bruto dhe tatimet, janë shumë më ‘të mirë’ se kryeministri i tyre Edi Rama që mbështetet tek ata.
Shqiptarët nuk janë përgjithmonë këtu. Pjesa më e madhe e studiuesve janë në një mendje që sa më i madh të jetë akumulimi i parave nga vitet e punës në Itali aq më të mëdha janë mundësitë e një rikthimi në vendin e tyre në të ardhmen.
Ndërkaq, vetëm më 2017, sipas të dhënave nga Bankitalia, komuniteti shqiptar ka dërguar në vendin e origjinës 128 milionë euro, që në të vërtetë janë shumë më tepër sepse pjesa më e madhe e parave nuk kontrollohen.
Ja pse Edi Rama dërgon këtu disa mjekë e infermierë, është minimumi që mund të bëjë për t'u treguar dashamirës i një vendi që mban 500 mijë njerëz thelbësorë për ekonominë e tij e që sigurisht janë edhe subjekte elektorale. Kjo është historia, të tjerat janë llafe.
Marrë nga Quotidiano del Sud-Përgatiti: SYRI.net