Mjeku i njohur Pëllumb Pipero, i cili ka qenë pranë qytetarëve këto ditë me informacion të përditshëm për koronavirusin bën një parashikim optimist për situatën. Ai tha se kjo javë do të jetë dhe piku i pandemisë në vend dhe se javën e tretë të prillit numri i rasteve do të bjerë.
Në një lidhje me News24, Pipero tha se në Infektiv është normale, e qëndrueshme dhe, edhe pse ka problematika po e përballojmë me përkushtim e profesionalizëm.
“Pritshmëritë tona janë kaluar me rastet e shëruara. Kemi 60-70 të shëruar dhe është një arritje e madhe. Falë masave të marra nga qeveria dhe respektimit nga ana e qytetarëve të masave higjieno-personale, pasojat e pandemisë për fat të mirën uk arritën atë kurbën me majë, të papërballueshme nga strukturat e shëndetësie.
E kemi përballuar më së miri deri tani. Besoj kështu do shkojë. Besoj që kjo javë do jetë java që tek ne duhet të arrijë pikun, pra numrin e rasteve të reja me COVID. Java tjetër do vijojë me këto ritme dhe në fillim të javës së tretë të prillit, numri i rasteve do bjerë.
Krahas rënies së numrit shpresoj të zbuten dhe masat e qeverisë, të fillojë një rigjallërim. Piku besoj do jetë kjo javë”, deklaroi Pipero.
Sa iu përket rasteve me COVID-19 tek moshat e reja, ai tha se janë 3-4 të tillë që sigurisht janë infektuar nga kontaktet. Pipero përsëriti thirrjen për të qëndruar brenda.
“Unë si ju ndjek me vëmendje buletinin e MSH. Janë 3-4 raste tek moshat e reja. Kjo sëmundje ka një periudhë inkubacioni shumë të gjatë.
Jo të gjithë rrinë në shtëpi, dikush del. Mjafton të ketë dalë para 2 javësh, 10 ditësh, përmes kontakteve të afërta, dikush e ka marrë. Ndaj vijojmë të themi mos dilni nga shtëpia. Ky virus i prek të gjithë, nuk bën përjashtime”, tha Pipero.