Koronavirusi s’është sëmundja e vetme që shqetëson Ballkanin

Premte, 03 Prill 2020 22:25

Gjetja e një kure për pandemine aktuale që ka përfshirë Ballkanin Perëndimor dhe të gjithë botën mund të jetë më e lehtë sesa spastrimi i rajonit nga ndikimi dashakeq i klasës së tij politike

Nga Jasmin Mujanovic | BIRN

 

Rënia e qeverisë së Albin Kurtit në Kosovë nuk ishte produkt i pandemisë COVID-19, në kundërshtim me një mori raportesh të mediave perëndimore.

 

Në fakt, pak nga ato që kanë ndodhur brenda javëve të kaluara në politikën e Ballkanit Perëndimor janë shkaktuar nga pandemia.

 

Përkundrazi, parakushtet ekzistuese politike kanë ndryshuar, zhvilluar dhe evoluar në kontekstin e një momenti të përshtatshëm në historinë botërore – të paktën nga këndvështrimi i elitave politike me iniciativë të Ballkanit.

Kini parasysh presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe konferencën për shtyp që ai mbajti më 15 mars, e cila u bë lajm në të gjithë botën për mburrjen e tij bombastike të “solidaritetit Europian” dhe fjalët e tij të mëvonshme plot embëlsi për “miqësinë serbo-kineze”.

Si fillim, Vuçiç zor se ishte një figurë liberale, demokratike, pro-europiane, kështu që prononcimet për prishjen e solidaritetit europian nga një njeri që kaloi pjesën më të madhe të viteve 1990 dhe 2000 në radhët e lëvizjes ultra-nacionaliste serbe, dhe i cili ishte ministër i informacionit së Sllobodan Millosheviçit, nuk duhet të merren parasysh.

Për më tepër, admirimi i Vuçiçit për Partinë Komuniste Kineze zor se nisi me koronavirusin. Për vite me radhë, qeveria e tij ka qenë një nga destinacionet kryesore në Europë për investimet kineze, teknologjinë e mbikqyrjes dhe armët.

Me fjalë të tjera, Vuçiçi po bënte teatër Ai po i bënte qejfin BE-së në përpjekjen e saj për të ngritur një përpjekje koherente, të përbashkët për të trajtuar pandeminë COVI-D19 – në Itali, më shumë sesa në Serbi – dhe kështu për të portretizuar ndihmat e radhës në para nga BE-ja si një fitore kryesore për qeverinë e tij.

Dhe ndërsa ai e shiti te votuesit e tij mitin se ai i kishte turpëruar europianët duke bërë koncesione të mëdha financiare, ai njëkohësisht po fitonte pikë në favor të tij me bamirësit e tij të rinj në Pekin, të cilët, rastësisht, u angazhuan gjithashtu në një lloj teatri politik duke dërguar fillimisht (gabimisht, do të supozonte dikush) pajisje mjekësore për në Beograd nëpërmjet avionit personal të presidentit.

Për të qenë i qartë, mund të bëhen kritika legjitime për përgjigjen e BE-së ndaj krizës COVID-19, veçanërisht në lidhje me situatën në Itali. Por duhet bërë dallimi midis kritikës së mirëfilltë dhe oportunizmit politik.

Dhe Vuçiç, ashtu si homologu i tij në Kosovë, Hashim Thaçi, është një oportunist politik dhe një cinik grotesk. Sepse ndërsa Vuçiç po përdorte pandeminë për të shënuar pikë gjeopolitike, presidenti Thaçi po i jepte zgjidhje rezultateve të brendshme politike me kryeministrin Kurti.

Ai madje shkoi deri në atë pikë saqë i nxiti qytetarët e Kosovës dhe policinë të mos respektojnë përpjekjet e qeverisë së Kurtit për të frenuar përhapjen e infeksionit përmes masave kufizuese.

Dhe pastaj Thaçi dhe aleatët e tij në Kuvendin e Kosovës rrëzuan qeverinë Kurti. Ata rrëzuan një qeveri që ishte në detyrë për gati dy muaj, gjatë një pandemie globale. Pse? Jo për shkak të reagimit të Kurtit për përhapjen e virusit në Kosovë – çështje për të cilën mendjet e arsyeshme nuk mund të pajtohen.

Qeveria e Kurtit u rrëzua për shkak të përpjekjeve të vazhdueshme të Thaçit, në të njëjtën kohë me Vuçiçin dhe të dërguarin presidencial të SHBA-së, Richard Grenell, për të ofruar një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi ku të dy palët do të përfshiheshin në një “shkëmbim territorial” të pamenduar mirë; një shkëmbim territorial që është pothuajse e sigurt se çon në një dhune të përtërirë, mes një pandemie globale. Ky është projekti i jashtëzakonshëm, në një kohë të jashtëzakonshme, në të cilin Thaçi vuri kapitalin e tij energjetik dhe politik.

Asnjë nga këto nuk duhet të jetë surprizë për vëzhguesit afatgjatë të rajonit. Sëmundja e vërtetë e Ballkanit Perëndimor, për një brez ose më shumë, kanë qenë udhëheqësit tanë sadistë politikë, mbi të gjitha shovinizmi dhe korrupsioni i tyre i pareformuar.

Në këtë kuptim, gjithçka që ka ndryshuar pandemia e koronavirusit në Ballkanin Perëndimor është prapavija tematike momentale dhe shkalla e manipulimit politik. Kriza e vërtetë këtu është njerëzore dhe politike; është klasa politike e rajonit që, për më shumë se një çerek shekulli, ka vendosur makinacionet dhe perfitimet e veta mbi mirëqenien dhe dinjitetin e qytetarëve të thjeshtë.

Fatkeqësisht, të dhënat e deritanishme sugjerojnë se më shpejt mund të gjejmë vaksinën dhe ilaçin për koronavirusin sesa të kemi një reagim popullor për këtë keqpërdorim të rëndomtë politik. Të paktën në një plan afatshkurtër.

Këto janë ditë të errëta, në shumë mënyra, dhe shumë prej nesh janë të izoluar nga njëri-tjetri, fizikisht, emocionalisht, shoqërisht. Por vetëm tani mund të jetë koha për të reflektuar mbi energjinë e jashtëzakonshme e të ndrydhur nëpër këtë rajon – dhe të planifikojmë se si mund ta shndërrojmë këtë në një përdorim konstruktiv pasi të dalim ga kjo periudhë karantine kolektive.

Në Prishtinë, disa netë më parë, mijëra qytetarë goditën tenxhere dhe tiganë nëpër dritaret dhe ballkonet e tyre, në kundërshtim simbolik të rrëzimit të qeverisë Kurti. Ky ishte një akt i fuqishëm kundërshtimit në një kohë kur sheshi publik është i padisponueshëm dhe vdekja na sillet rrotull.

Mirëpo sheshi dhe rrugët do të jenë përsëri në dispozicion – edhe nëse bota që do të vijë fillimisht do të duket shumë e huaj për shumë njerëz.

Ajo që do të mbetet për vitet në vazhdim, përveç nëse veprohet kundër, është guximi vetëshërbyes i klasës politike të Ballkanit Perëndimor. Do të jetë ndikimi i tyre dashakeq ai prej të cilit rajoni duhet të sterilizohet dhe pastrohet dhe është refuzimi i tyre kokëfortë që do të venitet tutje në skutat më të errëta të historisë sonë kolektive, nga të cilat duhet të mbrohemi. Sidomos kur – siç bëri Kurti dhe përkrahësit e tij – dikush jep herë pas here një goditje kundër interesave të tyre.

Ne duhet të bëjmë paqen, për momentin, duke pritur dhe duke lejuar që profesionistët e kujdesit shëndetësor dhe shkencëtarët të punojnë në emrin tonë, për të gjetur një zgjidhje për pandeminë.

Por e ardhmja politike dhe sociale e Ballkanit Perëndimor nuk është përgjegjësi e një klase ekspertësh. Ajo është përgjegjësi e grave dhe burrave të përditshëm në të gjithë rajonin, duke vepruar kolektivisht për të shpëtuar veten nga sëmundja e kakistokracisë.

 
 
Login to post comments