Një nga mjekët e `vijës së parë të zjarrit` në luftën kundër koronavirustit në Shqipëri, Renato Osmanaj, nëpërmjet një statusi në faqen e tij në Facebook, i ka bërë thirrje qeverisë Rama që të heqë dorë nga strategjia traumatizuese, me sirena policie e tanke.
Osmanaj thotë se alarmin e mbylljes së qytetarëve në shtëpi në orën 13.00 të mos e japin nëpërmjet terrorit, por me muzikë për të rritur e fëmijë, e këngë patriotike që japin shpresë.
Mjeku i njohur imazherist fton shqiptarët që ditën e sotme në orën 20.00, të ndezin dritat e ballkoneve dhe të këndojnë së bashku këngën “Kuq e Zi”!
“Fort e padashur qeveri!
Do ju përgjërohesha që alarmin e orës 1 mos ta bëni me sirena policie dhe tankse se po traumatizoni fëmijë pleq e plaka! Vendosni muzikë shqipëtare për fëmijë, këngë patriotike etj etj. Jepini shpresë njerëzve dhe relaksohini! Ju lutem!
Sot në ora 8-të ju ftoj të ndizni në ballkone dritat e celulareve dhe të vendosni këngën “Kuq e zi” dhe ta këndoni sëbashku! Ju flm”, shkruan në faqen e tij në FB doktor Renato Osmanaj.