Një banor i Sarandës, ka ndjerë shqetësime dhe pa u drejtuar fare në spitalin e Sarandës për të parë gjendjen e tij tentoi të ikte në Greqi, sipas tij për t’u trajtuar në spital në Filat.
Burime për “Panorama Online” bëjnë me dije se në pikën e kalimit kufitar të Qafë Botës hasi në pengesën e uniformave blu, të cilat e kthyen mbrapsht duke e udhëzuar për në spitalin e Sarandës.
Këmbëngulja e tij për të shkuar në Greqi ishte aq e madhe me pretendimin se ishte banor nga komuniteti minoritar grek dhe si i tillë nëse e linte pala shqiptare do kalonte pa problem nga pala greke. Burime të sigurta bëjnë me dije se në rastin në fjalë pala greke njoftoi se nuk do ta lejonin në asnjë mënyrë për të kaluar.
Atëherë i ndodhur në këtë situatë qytetari u kthye dhe u paraqit në spitalin e Sarandës. Atje duke e parë se kishte shqetësime dhe i ngarkuar nga mushkëritë, u dyshua për koronavirus.
Atëherë iu nënshtrua testimit, iu mor tampon dhe i nisën analizën për Tiranë, përgjigja e të cilave vijnë një ditë më vonë. Ndërkohë qytetari është detyruar të karantinohet në banesën e tij deri në pritje të analizave.