Tre persona kanë humbur jetën të hënën nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut. Njëri nga ta një 40 vjeçar nga qyteti i Koçanës në lindje të vendit, i cili nuk kishte pasur ndonjë histori sëmundjesh. Dy viktimat e tjera janë nga Tetova; njëri 65 vjeç po ashtu pa sëmundje të njohura kronike, ndërsa pacienti tjetër, 69 vjeçar vuante nga tumori në tru. Deri tash, numri i të vdekurve në këtë vend nga COVID-19 ka shkuar në 21.
Numri i të prekurve nga virusi ka arritur në 570. Katër pacientë janë shëruar dhe pritet të nxirren nga Klinika e Sëmundjeve Infektive, teksa tre të tjerë që ishin të izoluar në shtëpitë e tyre në Dibër kanë rezultuar negativë në dy palë teste për virusin.
Autoritetet janë detyruar që të imponojnë masa të reja shtrënguese për sa i përket lëvizjes së njerëzve për shkak të mosrespeketimit të rekomandimeve për të mos qëndruar bashkë dhe për të ruajtur distancimin social. Ora policore nga e mërkura do të fillojë prej në 16:00 dhe do të zgjasë deri në 5:00 të mëngjesit të së nesërmes, ndërsa për fundjavë ora policore fillon nga e premtja në ora 16:00 deri të hënën në 5:00. Në këtë kuadër, mosha e tretë, përkatësisht nga 67 vjeç e tutje do të mund të lëvizin vetëm brenda orëve 10 – 12; të rinjtë e moshës deri 18 vjeç, në harkun kohor 13h -15h.
Kryeministri i Qeverisë teknike, Oliver Spasovski tha në një konferencë shtypi se këto masa po merren para festave të Pashkëve dhe Ramazanit dhe të motit të mirë. “Këto festa do të duhet t’i kalojmë në shtëpitë tona; Kjo nuk do të na bëjë besimtarë më të dobët, përkundrazi do të na forcojë frymën e besimit”, u shpreh ai. “Të gjithëve na është bërë e qartë se mënyra e jetesës ka ndryshuar. Bota po bën luftë kundër një armiku të padukshëm, që për çdo ditë merr një numër të madh jetësh. Virusi nuk njeh kufij dhe as nuk zgjedh se kë do ta sulmojë. Askush nuk është i mbrojtur dhe i kursyer”, tha kryeministri maqedonas duke u bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe la të kuptohej se parashikimet e autoriteteve ishin që numri i të prekurve nga koronavirusi të shkonte nga 2000 në 2500. Klinika e Sëmundjeve Infektive në Shkup ka mbushur më shumë se gjysmën e kapacitetit të saj; një spital fushor ngjitur me të është ngritur ditëve të fundit dhe po bëhen përgatitjet dhe furnizimi me pajisjet e nevojshme mjeksore. Spitali tjetër i qytetit, “8 Shtatori” ka hapur dyert për pacientë me COVID-19 si edhe disa spitale të tjera rajonale nëpër qytete të tjerë të Maqedonisë së Veriut.
Ministri i jashtëm i Hungarisë Peter Sijarto me një delegacion ishte të hënën për vizitë në Shkup dhe me vete sollën ndihma në pajisje mjeksore, 100 mijë maska dhe 5 mijë veshje mbrojtëse për mjekët dhe personelin mjeksor që po përballen me sëmundjen pa pasur mjaft pajisje mbrojtëse. Një numër i konsiderueshëm mjekësh dhe infermierësh rezultojnë të prekur nga virusi. Rreth 9 për qind janë personel mjekësor nga numri i përgjithshëm i të infekturave. VOA