Guvernatori Sejko bisedë telefonike me Yuri Kim: Kemi analizuar situatën me COVID- 19, të gatshëm të përdorim çdo instrument për tejkalimin e saj

Premte, 10 Prill 2020 19:18

Guvernatori i BSH, Gent Sejko dhe ambasadorja amerikane, Yuri Kim kanë zhvilluar një bisedë telefonike lidhur me masat e marra në sistemin bankar për krizën e COVID-19 në Shqipëri.


Sejko ka siguruar ambasadoren se veç lehtësimit të proceseve të aktivitetit operacional, politikës monetare apo dhe kushteve monetare dhe financiare Banka e Shqipërisë është e gatshme të përdorë çdo instrument që disponon për të tejkaluar këtë situatë.

Ndërkohë Yuri Kim ka vlerësuar masat e Bankës apo dhe sistemit bankar për të mbështetur në kapërcimin e kësaj situate.

NJOFTIMI I BSH

Në datë 10 prill 2020, Guvernatori Gent Sejko zhvilloi një bashkëbisedim telefonik me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Sh.S.Zj. Yuri Kim.

Në fokus të kësaj bisede ishte trajtimi i situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 dhe efektet e saj jo vetëm në ekonominë shqiptare por edhe atë globale.

Gjatë bisedës, Guvernatori u shpreh se përhapja e pandemisë COVID-19 në Shqipëri përbën një sfidë edhe për ekonominë dhe sektorin financiar. Për këtë arsye Banka e Shqipërisë ka marrë në analizë situatën e krijuar si dhe efektet e mundshme të saj në ekonominë e vendit.

 

Guvernatori e njohu Ambasadoren me masat rregullative të marra nga Banka e Shqipërisë për t’iu ardhur në ndihmë bankave dhe klientëve të tyre duke lehtësuar proceset e aktivitetit operacional në kushtet që ndodhemi si p.sh. lehtësimi i qëndrimit të politikës monetare dhe kushteve monetare e financiare etj..

Guvernatori e siguroi Ambasadoren Kim se Banka e Shqipërisë është e gatshme të përdorë të gjitha instrumentet e nevojshme ligjore e rregullative që disponon, në bashkëpunim me gjithë autoritetet në vend, me qëllim kapërcimin e kësaj situate dhe krijimin e premisave për një rimëkëmbje sa më të shpejtë të ekonomisë si dhe të ruajtjes së parametrave makroekonomikë dhe stabilitetit te çmimeve e atij financiar në vend.

Gjithashtu, Guvernatori Sejko vuri në dukje se në fokus të punës së Bankës së Shqipërisë ka qenë dhe do të jetë modernizimi i mëtejshëm i sistemit të pagesave, i cili luan një rol mjaft të rëndësishëm si në edukimin dhe përfshirjen financiare të popullsisë, ashtu dhe në rritjen e formalizmit të mëtejshëm të ekonomisë, duke shërbyer njëkohësisht edhe si një masë shtesë në drejtim të parandalimit të pastrimit të parave.

Në vijim, Guvernatori Sejko prezantoi gjendjen e sektorit bankar në vend duke theksuar se ky sistem është i mirëkapitalizuar, solid dhe me tregues të mirë të likuiditetit dhe shëndetit financiar. Në këtë kontekst, sektori bankar po vijon aktivitetin normal dhe mbetet i gatshëm të japë gjithë kontributin e nevojshëm për përballimin dhe tejkalimin e kësaj situate.

Nga ana e saj, Ambasadorja Kim vlerësoi rolin që Banka e Shqipërisë dhe sistemi bankar kanë luajtur në vazhdimësi si dhe mbështetjen që po japin për kapërcimin e situatës dhe minimizimin e efekteve të mundshme negative të krijuara nga pandemia Covid-19.

Gjithashtu Ambasadorja Kim duke vlerësuar marrëdhëniet mjaft të mira që Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës gëzojnë, shprehu gatishmërinë e saj për të ofruar të gjithë mbështetjen dhe ndihmën e nevojshme në këtë situatë, të cilat do ta forcojnë edhe më tej bashkëpunimin midis dy vendeve.

Në përfundim, Guvernatori Sejko duke vlerësuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës si një partner strategjik mjaft të rëndësishëm për Shqipërinë, falënderoi Ambasadoren Kim për asistencën humanitare që kanë dhënë për vendin tonë në këtë situatë si dhe i uroi Ambasadores që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta kalojnë sa më shpejt e me sa më pak pasoja këtë situatë.

Login to post comments