Call center fillojnë shkurtimet, çfarë po ndodh me të punësuarit

Diel, 12 Prill 2020 09:51

Reduktimi i aktivitetit për shkak të krizës dhe shpenzimet e larta për punonjësit, duket se do të krijojnë vështirësi në dhënien e pagave për shumë kompani call center, ku në këtë sektor sipas të dhënave të INSTAT janë të punësuar rreth 22 mijë punonjës. Përfaqësues të Sindikatës Solidariteti  njoftuan më herët në rrjetet sociale se për shkak të krizës të koronavirusit kompania Teleperfomanca iu ka komunikuar disa punonjësve njoftimin për ndërprerjen e punës. Sektori kishte filluar rënien edhe pa Covid-12. Numri i të punësuarve ra me 12% në 2019-n, në raport me 2015-n, kur ishte viti më i mirë

“Duke filluar nga data 6.04.2020 shoqëria AMS e ka të pamundur që t’ju zerë më punë gjatë periudhës të gjëndjes të fatkeqësisë natyrore dhe është e detyruar të ndërpresë marrëdhënien e punës. Palët nuk do të kenë ndonjë detyrim kundrejt njëra-tjetrës gjatë gjithë kohëzgjatjes të kësaj ndërprerje çka do të deklarohet nga punëdhënësi edhe pranë organeve përkatëse shtetërore. Kontrata e punës e lidhur mes nesh do të rifillojë efektet e saj, pas mbarimit të rrethanave që kanë shkaktuar ndërprerjen e punës”, thuhet në njoftimin për ndërprerjen e punës të operatorit të publikuar nga Sindikata Solidariteti.

Përfaqësuesi i kompanisë Teleperfomanca, zoti Diego Pisa i pyetur nga “Monitor” për njoftimin e largimit të punonjësve nga puna dha këtë përgjigje. “Kompania po vazhdon të punojë në përpjekje për të mbajtur në maksimum  punësimin në një vend ku mundësitë për të rinjtë janë të pakta. Në të gjithë botën ndikimet e koronavirusit kanë qenë shkatërruese edhe nga një këndvështrim ekonomik dhe në këtë skenar ne kemi qenë në gjendje të garantojmë pothuajse për të gjithë punonjësit tanë mundësinë për të punuar nga shtëpia ose zyra, duke ofruar më të mirën në vendet e punës, pagat mbi mesataren e vendit, sigurimet shëndetësore për të punësuarit, mundësitë e rritjes në një kontekst ndërkombëtar”, u përgjigj zoti Pisa.

Agron Shehaj parashikon se te call center, shkurtime të vendeve të punës do të ketë sidomos te kompanitë që nuk kanë kushte për të kryer punën nga shtëpia. “Përkeqësimi i situatës, sigurisht që do të sjellë efekte për industrinë, sidomos te kompanitë e vogla, të cilat do të kenë shkurtime të vendeve të punës. Për ato kompani që nuk janë të gjendje të realizojnë punën në distancë, për shkak të mungesës të kushteve, mendoj se janë totalisht të braktisura nga qeveria.

Kredia nëpërmjet garancisë sovrane nga shteti, si një nga pikat e propozuara nga qeveria, nuk mund të funksionojë për pagat. Është e paimagjinueshme që sipërmarrësit, të cilët kanë biznese të mbyllura të hyjnë në borxhe për të paguar pagat, pa asnjë afat, pa ditur nëse do të hapen sërish ato biznese. Duhet të jemi të vetëdijshëm që bizneset që mbyllen për shkak të krizës nga koronavirusi, nuk do të hapen më”.

Sipas zotit Shehaj, problem shumë i madh, i cili nënvlerësohet, është kostoja e lartë e krahut të punës në këtë industri. “Në sektorin call center dhe në fason, kostoja e punës është sa 30% e totalit të kostove për këto biznese. Kjo e bën të pamundur që biznesi të përballojë pagat e punonjësve, të cilat zënë pjesën më të madhe të pagesave, pavarësisht se këta punonjës nuk prodhojnë. Në rast se kjo kosto nuk të gjeneron të ardhura, nuk është e mundur të përballohet. Për disa kompani, kjo kosto është 1 milion euro në muaj. Si do t’ia dalin këto kompani? Do të paguajnë çdo muaj 1 milion euro koston e pagave, ndërkohë që punonjësit nuk punojnë. Është e pamundur, pasi nuk është investim, si për shembull ndërtimi i një hidrocentral, ku kostoja e fuqisë punëtore është 5% e kostos totale”.

Shehaj

“Në sektorin call center dhe në fason, kostoja e punës është sa 30% e totalit të kostove për këto biznese. Kjo e bën të pamundur që biznesi të përballojë pagat e punonjësve, të cilat zënë pjesën më të madhe të pagesave, pavarësisht se këta punonjës nuk prodhojnë. Në rast se kjo kosto nuk të gjeneron të ardhura, nuk është e mundur të përballohet. Për disa kompani, kjo kosto është 1 milion euro në muaj. Si do t’ia dalin këto kompani? Do të paguajnë çdo muaj 1 milion euro koston e pagave, ndërkohë që punonjësit nuk punojnë. Është e pamundur, pasi nuk është investim, si për shembull ndërtimi i një hidrocentral, ku kostoja e fuqisë punëtore është 5% e kostos totale”.

Puna nga shtëpia një zgjidhje

Rreth 80% e punonjësve të kompanisë më të madhe call center në vend Teleperfomanca (në kompani janë të punësuar 2 mijë punonjës) po punojnë nga shtëpia për shkak të krizës të koronavirusit.

Kompania tjetër IDS që në fillim të shfaqjes të rasteve të para me virus në Shqipëri mori vendimin që të gjithë punonjësit të punojnë nga shtëpia. Në këtë kompani sipas të dhënave zyrtare të Tatimeve deri në fund të marsit janë të regjistruar 970 punonjës. Ndërsa kompania Facile.it vazhdon të mbajë në zyra 80% të punonjësve, pasi fushatat ku po punon aktualisht kërkojnë kushte të larta sigurie.

Diego Pisa, administrator i Teleperfomancës, tha për “Monitor” se aktualisht 80% e stafit po punojnë nga shtëpia. “Ashtu edhe siç jeni vënë në dijeni nga njoftimet e kompanisë 80% e stafit po punojnë nga shtëpia. Pjesa tjetër e punonjësve, pra 20% po punojnë në kompani duke respektuar distancën”, pohoi zoti Pisa.

Agron Shehaj, përfaqësues i kompanisë IDS dhe pionier i ngritjes të punës në sektorin e Call Center, shprehet për “Monitor” se të gjithë punonjësit po punojnë nga shtëpia. “Sot për sot, puna në ambientet e kompanisë është e pamundur. E vetmja mënyrë për të punuar është në distancë. Çdo mënyrë tjetër, sado masa që të merren, është e rrezikshme dhe nevojitet një organizim i jashtëzakonshëm. Edhe punonjësit duhet të jenë të përgjegjshëm, për atë çfarë ata mund të bëjnë jashtë ambienteve të punës. Aspekte të tjera që lidhen me moskryerjen e punës në ambiente të përbashkëta lidhen me frikën dhe ankthin e njerëzve për përhapjen e virusit, mesazhet politike që po jepen, si dhe transporti i tyre është i vështirë. Është e rëndësishme të përshtatemi, nëse duam që biznesi të vazhdojë dhe të jetë në gjendje të paguajë rrogat e punonjësve në fund të muajit”.

Lorenc Goga, drejtuesi i kompanisë Facile.it, tha se rreth 10 % e totalit të punonjësve punojnë nga shtëpia. Në kompani janë të punësuar 450 persona, por për shkak të specifikës së punës dhe moscenimit të të dhënave të sigurisë, Goga sqaroi se vetëm 40 punonjës po punojnë në shtëpia.

“Nga shtëpia po punojnë një pjesë e vogël e punonjësve, aty ku nuk kemi problem me të dhënat e klientëve. Pjesa më e madhe e punonjësve nuk mund të punojnë nga shtëpia, sidomos në këtë periudhë kur po punohet me fushatën e blerjeve nëpërmjet kartave të kreditit. Kjo është edhe arsyeja pse punonjësit janë të detyruar të punojnë në zyrë, ku ambientet janë të çertifikuara për kryerjen e këtyre trasaksioneve. Në kompani janë të punësuar rreth 450 punonjës nga të cilët 250 prej tyre po punojnë në zyrë dhe 30-40 punonjës po punojnë nga shtëpia”, thotë Goga.

Sipas përfaqësuesit të kompanisë Facile.it pjesa tjetër rreth 30% e punonjësve e kanë të pamundur të vijnë në punë. Për këtë kategori zoti Goga thotë se ardhja në punë është e pamundur pasi ata jetojnë në qytete të tjera, si dhe 100 punonjëse janë nëna me fëmijë.

“Ne kemi zgjatur oraret e punës, më përpara punonim deri në orën 13:00, tani punohet me turne deri në orën 20:00. Numri i punonjësve është në rritje, por kemi vështirësi me nënat që janë me fëmijë dhe për disa punonjës që jetojnë në periferi si zona e Kamzës, Freskut dhe e kanë të vështirë të vijnë në punë. E vështirë ardhja në punë është edhe për punonjësit që jetojnë në rrethet, si Durrës apo Elbasan të cilët janë të bllokuar. Pas shpalljes të pandemisë një pjesë e punonjësve u larguan dhe shkuan në vendlindjen e tyre dhe e kanë të vështirë kthimin në Tiranë. Në këto rrethana, ne kërkojmë ndihmën e qeverisë për të mundësuar transportin e punonjësve, por edhe një zgjidhje për nënat me fëmijë pasi 100 prej punonjësve që mungojnë te ne janë nëna me fëmijë”, sqaron zoti Goga.

Sektori “Call Center” njohu zgjerim të shpejtë në vendin tonë ku, nga 382 ndërmarrje që vepronin në vitin 2011, numri i tyre kërceu në 848 në vitin 2015.

Bashkë me rritjen në numër, u rrit edhe pesha e punësimit të sektorit në ekonomi, duke u bërë shpëtimtar i shumë të rinjve, që po arrinin të siguronin paga mbi mesataren e tregut të punës në Shqipëri. Sipas INSTAT, deri në fund të muajit korrik 2019 ishin të regjistruara 659 ndërmarrje call center. Në këtë sektor janë të punësuar rreth 22 mijë punonjës deri në mes të vitit 2019, sipas INSTAT. Edhe pa Covid-19, sektori kishte filluar rënien, i ndikuar nga politika e qeverisë italiane, e cila prej tre vitesh ka ashpërsuar rregullat e delokalizimit me qëllim që të ruante vendet e punës në Itali.

Në krahasim me 2016-n, kur ishte periudha më e mirë për sektorin, numri I të punësuarve në mes të 2019-s kishte rënë me 12%. / Dorina Azo, Monitor/

ImageImage

 
 

 

Login to post comments

Lajmet e fundit

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

Globi

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

  Miliarderi Elon Musk reagoi pasi një prokuror i Sorosit deklaroi se do ngrejë padi ndaj tij, pasi e akuzon se po mbledh vota për republikanët në SHBA. Prokurori Larry Krasner e akuzon Musk...

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

Politikë

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

  Deputeti demokrat, Edi Paloka, deklaroi në mbyllje të protesës së ligjvënësve demokratë përpara Parlamentit Europian në Strasburg se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane. “Meqë grupi që është nëpër takime...

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

Politikë

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

  Deputetë të opozitës po protestojnë gjatë ditës së sotme para selisë së Parlamentit Evropian. Sipas opozitës shqiptare, Rama synon “asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike, duke rikthyer Shqipërinë 34 vjet më pas”. Deputeti...