Ekspertët kanë nisur që tani të bëjnë llogaritë se sa shpejt do e marrë veten bota nga kriza e rëndë e koronavirusit.
Ata po përllogarisin edhe shtetet që do e marrin veten më shpejt se të tjerat.
Në një analizë, BBC tregon se cilat janë pesë vendet që do i rezistojnë më shumë krizës dhe që do të kthehen më shpejt në këmbë.
Këto pesë vende janë: Danimarka, Singapori, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ruanda dhe Zelanda e Re.
BBC mbështetet kryesisht te Indeksi Global i Rezistencës për të bërë këtë analizë, por jo vetëm aty.
Por ku renditet Shqipëria në këtë indeks të hartuar nga kompania e sigurimeve FM Global?
Në renditjen totale, Shqipëria është në vendin e 95 në botë, me një pikëzim prej 30.7, ku 100 është maksimalja e pikëve.
Bosnja është në vendin e 70 në botë, Bullgaria në vendin e 45-të, Kroacia në vendin e 37, Mali i Zi është në vendin e 82-të, Maqedonia e Veriut në vendin e 100 dhe Serbia në vendin e 63-të.
Sa i përket rezistencës ekonomike, Shqipëria është në vendin e 91-të. Sa i përket cilësisë së rrezikut, ajo ndodhet në vendin e 118 në botë. Kurse në lidhje me rrjetin e furnizimit, Shqipëria është në vendin e 78.