Natën e 9 prillit ‘zëdhënësi’ i koronavirusit në vendin tonë mjeku, Pëllumb Pipero, deklaroi në emisionin “Opinion” se ‘Shqipëria e ka kaluar pikun e pandemisë së COVID-19’.
Sipas Piperos, ‘25-26 marsi ka qenë piku i pandemisë në vendin tonë, kurse kjo javë që jemi (e kaluara), shifrat janë nën atë që do ta konsideronim pikun në qoftë se i referohemi dy momenteve siç ishte data 25-26 Mars apo 3-5 Prill’.
Gjithashtu në të njëjtën dalje televizive Pipero dha edhe një ‘lajm të mirë’ duke ju referuar shifrave të atyre ditëve: Gjysma e dytë e prillit, po sidomos fundi i prillit, do na gjejë të lehtësuar në mjaft drejtime, veçanërisht në sektorin e shërbimeve apo të prodhimit’.
Por çfarë ka ndodhur në realitet gjatë ditëve në vijim të kësaj deklarate të ‘zëdhënësit Pipero’ dhe paralelisht me refuzimin e qeverisë për të intensifikuar testimet në vendin tonë. Është kthyer trendi në rritje i numrit të rasteve të konfirmuara pozitivë me COVID-19. Ditën e sotme 13 prill, për të tretën ditë me radhë, Ministria e Shëndetësisë njofton një numër në rritje të personave që konfirmohen pozitivë.
Në 24 orët e fundit, nga 193 testime në persona të dyshuar, 21 raste kanë rezultuar pozitivë. Drejtuesja e ISHP-së, Albana Fico tha sot gjithashtu, se janë bërë 4 mijë e 70 testime në total, nga të cilat pozitivë kanë rezultuar 467 persona. Pra kemi më shumë se 10% të të testuarve, të cilët rezultojnë të prekur nga virusi.
Duket se strategjisë për të kontrolluar situatën e shifrave me ‘urdhër nga lart’ po i del boja, sepse Shqipëria është i vetmi vend në botë ku virusi nuk po ecën me trendin e shteteve të tjera; nga piku në në një kurbë të sheshtë e pastaj rënie të numrit të të infektuarve. Këtë realitet fiktiv e tregoi edhe blofi ku ranë vetë kryeministri Rama me ministren e Shëndetësisë, Manastirliu, të cilët u bënë çorbë dhe përgënjeshtruan njëri-tjetrin me kapacitetin real që ka vendi ynë për të bërë testet ndaj virusit. Gjithashtu kjo politikë censure dhe e shifrave të komanduara dhe të paravendosura doli blof, edhe me vetë numrin e mjekëve dhe punonjësve të tjerë të Shëndetësisë, të cilët janë infektuar.
Kështu me pompozitet kanë njoftuar publikun se janë shëruar nga koronavirusi rreth 40 ‘bluza të bardha’ deri më tani, por përveç dy rasteve të vetë-deklaruara të dy mjekëve të njohur, opinioni asnjëherë nuk e mësoi nga institucionet përgjegjëse, se kur ishin infektuar ata.
Kjo politikë e ‘shifrave të komanduara’ kur bëhet edhe me vetë mjekët që gjenden në vijën e zjarrit, tregon se deri ku shkon kjo strategji e kalkulimit të një realiteti virtual nga ‘udhëheqja’ dhe komiteti fantazmë që ka shpallur Edi Rama. Kur mjekët infektohen; mbahet sekret, kurse kur shërohen njoftimi bëhet me pompozitet.
Duket se pikërisht ky ‘sekret’ që mban qeveria për realitetin e situatës së epidemisë së COVID-19 ka bërë që në vendin tonë, ndërkohë që pritej që kurba të ishte në rastin më të mirë e sheshtë dhe në rënie, papritur këto 3 ditët e fundi ka pësuar një trend të fortë rritje, duke habitur ekspertët e fushës, të cilët nuk kanë zgjedhur të bëjnë ‘zëdhënësin e koronavirusit’, që kalon më parë nga zyra e Edi Ramës.