Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një komunikim në “Facebook” lajmëroi sot masa lehtësuese për bizneset në Shqipëri, duke iu ardhur në ndihmë për shkak të pandemisë globale e COVID-19.
Për të folur për këto masa, Euronews Albania zhvilloi një bisedë me ekspertin e ekonomisë, Dritan Shano, i cili theksoi se çdo masë lehtësuese do të çonte para drejtpërdrejt në xhepat e shqiptarëve.
Ai shprehet se ekonomia shqiptare duhet t'i rikthehet sa më parë normalitetit. Sipas Ramës, bizneset e vogla në Shqipëri që kanë mbyllur aktivitetin nuk do të paguajnë taksa deri në fund të vitit.
“Unë mendoj se ekonomia shqiptare duhet t’i kthehet normalitetit. Masat që merren janë të papërputhura me atë që shohim nga ministria e Shëndetësisë në lidhje me numrin e viktimave apo të prekurve. Çdo vonesë do të ketë pasoja negative. Përshëndes çdo masë lehtësuese, pasi kjo do të çonte para në xhepat e shqiptarëve”, tha ai.
Gjithashtu zoti Shano theksoi se mbyllja e ekonomisë në Shqipëri është në dispropocion në lidhje me situatën që raportojnë spitalet tona për pandeminë globale të COVID-19.
“Unë mendoj se Shqipëria pikun e coronavirusi e ka kaluar në muajt janar dhe shkurt. Kjo është ajo që mendoj unë. Mbyllja e ekonomisë është dispropocianale në lidhje me atë që raportohet nga spitalet”, shtoi ai.
Ai kritikoi qeverinë shqiptare duke thënë se nuk po vepron shpejt për të ndihmuar bizneset, të cilat janë goditur rëndë për shkak të mbylljes së punës së tyre për shkak të pandemisë.
“Unë mendoj se bizneset si: fasonët dhe turizmi kanë nevojë për një qasje shumë më serioze dhe kanë nevojë për lehtësira fiskale në mënyrë që ata të ruajnë vitalitetin e të bërit biznes. Qeveria po vonon, duhet të veprojë më shpejt seç po vepron”, shtoi Shano.