Gjatë intervistës së tij për gazetarin Çim Peka në Syri Televizion, kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti ka komentuar letër-këmbimet me presidentin Hashim Thaçi.
"Unë i kam bërë disa pyetje presidentit që nuk është më përgjigjur. Ai refuzon të flasë me mua por më thotë "të më çojë një emër". Duhet të përgjigjet paraprakisht për pyetjet e mia", u shpreh Kurti.
Nëse presidenti vazhdon të tentojë një qeveri të re, çfarë do bëjë Albin Kurti?
"Ai nuk është president me kompetenca për krijimin e një qeverie. Nëse nuk ia kam dërguar emrin në letrën e parë pse vazhdon të dërgojë letra. I kanë ngelur edhe pak muaj e do të merret me politikë. Të lerë postin e të futet në garë zgjedhore. Mos të kalojë kompetencat duke shkelur postin", tha Kurti.
"Presidenti do një kryeministër tjetër që të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme e të marrë ushtrinë në dorë e të kthehet te projekti për ndarjen e Kosovës, që përshpejton anëtarësimin e Serbisë në BE. Ai do të jetë sa më larg gjykatës e Serbia pranë BE. Ky është një vit i rëndësishëm për Kosovën dhe Ballkanin në tërësi", shtoi Albin Kurti.