Gjatë vështirësisë që po kalojnë shumë familje shqiptare për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e koronavirus, Shteti i Katarit shpërndau ditët e fundit-përmes Zyrës së Qatar Charity në Shqipëri-qindra ndihma humanitare për këto familje.
Pakot e ndihmave përmbanin mjetet më të nevojshme në këtë periudhë, si ushqime, materiale të higjienës dhe dezinfektues ambienti e personale. Më shumë se 1000 pako (500 kuti) me ushqime dhe (500 kuti) me mjete dezinfektuese janë shpërndarë në Tiranë, Durrës, Shkodër, Elbasan dhe Berat.
Në të njëjtën kohë, Qatar Charity u ka shpërndarë këtë muaj edhe pensionet rreth 5000 përfituesve në të gjithë Shqipërinë, si ndihma në advancë për tre muajt e ardhshëm.
Ndërsa dje të martën, u shpërndanë 500 pako të tjera me ndihma për 250 familje në zonën e Kamzës, ku ishte i pranishëm Ambasadori i Shtetit të Katarit z. Ali bin Hamad Al Marri dhe Kryetari i Bashkisë Kamëz z. Rakip Suli.
Në fjalën e tij, Ambasadori rikonfirmoi edhe njëherë qëndrimin e përhershëm dhe të vazhdueshëm të Shtetit të Katarit pranë Shqipërisë dhe popullit shqiptar, veçanërisht në periudha të vështira. Ai nënvizoi se ndihmat katariane nuk do të mungojnë edhe në të ardhmen.
Kjo ndihmë vjen pak kohë pasi Shteti i Katarit i dhuroi 5 milion dollarë Shqipërisë në mbështetje të programit të rindërtimit të zonave të prekura nga tërmeti që goditi vendin nëntorin e kaluar, krahas ndihmave të tjera materiale që u shpërndanë në ato zona gjatë asaj periudhe, nën mbikëqyrjen e Ambasadës së Shtetit të Katarit në Tiranë.