Durrësi i dha sot lamtumirën e fundit njërit prej qytetarëve më të nderuar dhe respektuar në qytetin bregdetar, arkitektit të njohur Hajdar Kovaçi. Arkivoli me trupin e të ndjerit, para se të shkonte në banesën e fundit, u ndal në sheshin para bashkisë së qytetit, ku ishin mbledhur familjarët, miqtë dhe kolegët e tij.
Për shkak të pandemisë Covid-19, zhvillimi normal i ceremonisë mortore është i pamundur, prandaj ishte zgjedhur kjo formë lamtumire për të nderuar një nga qytetarët më të respektuar në Durrës.
Për miqtë e tij të Rotary Club, ndarja nga jeta e Dar Kovaçit, siç e njihnin të gjithë, ishte një goditje e fortë dhe një humbje e madhe.
Gjatë karrierës së tij të gjatë dhe detyrave të rëndësishme që ka mbajtur, Kovaçi do të mbahet mend edhe për angazhimin e tij të gjatë pranë degës lokale të PD. Kreu aktual i PD Durrës, Ferdinand Xhaferaj tha për Neës24, se humbja e Kovaçit nuk është një humbje vetëm për PD-në, por edhe për qytetin e Durrësit, të cilin ai aq shumë e deshi dhe aq shumë dha gjatë angazhimit të tij të gjatë si arkitekt dhe intelektual.
Për të përshëndetur Kovaçin në udhëtimin e tij për në banesën e fundit, ishte i pranishëm edhe ish-kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Arkitekti Hajdar Kovaçi u nda nga jeta një ditë më parë, në spitalin “Shefqet Ndroqi”, pas një beteje më shumë se 3 javore me Covid-19.