Të hënën qeveria federale publikoi udhëzime të reja në rang kombëtar që ua ngarkon përgjegjësinë për të kryer testimet për COVID-19 të 50 shteteve.
"Planet e testimit dhe programet e reagimit të shpejtë do të mbështeten në mënyrë federale, do të menaxhohen nga shteti dhe do të ekzekutohen në vend", sipas një dokumenti të titulluar: Projekti për planet e testimit dhe programet e reagimit të shpejtë.
Qeveria federale do të shërbejë "si furnizues ku gjithcka tjetër ka dështuar", thuhet në dokument. Guvernatorët e shteteve u informuan nga Presidenti Donald Trump dhe anëtarët e administratës së tij më herët gjatë ditës së djeshme gjatë një telekonference. Guvernatorët janë "tejet të entuziazmuar" dhe kanë gjithçka që u nevojitet, pohoi zoti Trump gjatë një konference për shtyp të hënën vonë. Krerët e disa rrjeteve kombëtare farmaceutike të shitjes me pakicë thanë se kanë në plan të dyfishojnë ose trefishojnë aftësitë për të kryer testime brenda disa javësh. "Testimi nuk do të jetë aspak problem" për shtetet që rihapin ekonomitë e tyre tha zoti Trump.
Ai rekomandoi shtetet që hapjen e ekonomive të tyre ta bëjnë atë sa më shpejt të jetë e mundur, por në mënyrë të sigurt, siç tha ai. Disa shtete thonë se ende nuk ekziston kapaciteti i duhur testues për të monitoruar siç duhet shkallën e përhapjes së virusit. Një numër guvernatorësh kanë hezituar të rihapin ekonomitë nisur nga shqetësimi se numri i rasteve me koronavirus mund të rritet nëse masat e distancimit fizik zbutet para kohe.