Ushtruesi i detyrës së ministrit të Brendshëm në Kosovë, Xhelal Sfeçla ka njoftuar se presidenti Hashim Thaçi ka shkelur protokollin shtetëror duke e kaluar ilegalisht kufirin, madje sipas tij, dyshohet se ka kontrabanduar ilegalisht edhe deputetin Behgjet Pacolli, shkruan Syri.net Kosova
Sfeçla këto komente i bëri në një konferencë për media.
Ai po ashtu i ka kërkuar Pacollit që të tregojë se ku gjendet, ose nëse shfaqet në publik, sipas tij, policia do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore që janë në fuqi.
Pacolli nuk u lejua të ulej me avionin e tij privat në Kosovë dje. Por ai zbarkoi në Tiranë. Dje pati raportime kontradiktore se ku gjendet ai. Sot ndërkohë u tha se presidenti Hashim Thaçi e ka marrë me makinën e tij nga Shqipëria për në Kosovë.
Sveçla thotë se nëse konfirmohet se Pacolli ka qenë në veturën e presidentit Thaçi, atëherë, sipas vendimit që ka marrë qeveria për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19, edhe Thaçi duhet t’i nënshtrohet masave të karantinimit ose vetizolimit.
“Sipas vendimit të Qeverisë, personat për të cilët vërtetohet se kanë pasur kontakt me persona të sëmurë osë të dyshuar, futen në karantinë. Rrjedhimisht, nëse Presidenti vërtetohët që ka pasur kontakt me z. Pacolli, atëherë ai duhet t’i nënshtrohet karantinës, ose vetizolimit në linjë me historikun e shëndetit” , tha Sveçla.