Terrorizoi me armë zjarri Skraparin, prokuoria kërkon burg, gjykaka e lë në arrest shtëpie

Premte, 01 May 2020 20:45

Hekuran Hoxha, njeriu që terrorizoi tre ditë më parë Skraparin, ka dalë sot para gjykatës së Beratit, ku është njohur me masën e sigurisë.

Prokurori i çështjes Gentian Abazaj, i kërkoi trupit gjykues të caktojë masën e sigurisë arrest në burg për Hekuran Hoxhën, ndaj të cilit prokuroria ka ngritur akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit” dhe “Prishjes së qetësisë publike”.

 

Por ndryshe nga sa ka kërkuar prokurori i çështjes, gjykata sot ka vendosur të caktojë masën e “arrestit në shtëpi” për Hekuran Hoxhën, duke urdhëruar që ky person të mbahet nga policia në izolim shtëpiak.

 

Hekuran Hoxha, konsiderohet si person me probleme mendore. Ai jeton me vëllanë e tij, Hysen Hoxha, në një apartament të Skraparit. Pas zgjidhjes së situatës nga negociatori i repartit special RENEA, policia gjeti një automatik kallashnikov të përbërë nga një karikator me 28 plumba.

 
 

Sipas vendimit të gjykatës rezulton se ka qenë ora 19:30 e datës 28 prill, kur shefi Komisariatit Ermal Lulaj, ka marrë një informacion se një banor i pallatit 5-katësh në Çorovodë, kishte qëlluar me armë zjarri disa herë. Nga verifikimet e bëra në rrugë operative rezultoi se krismat ishin dëgjuar nga banesa e Hekuran Hoxha, që ndodhet në katin e parë të pallatit 5-katësh, ku jeton ai së bashku me vëllanë e tij Hysen Hoxha, që është invalid, pasi vuan nga sëmundje të shëndetit mendor.

Nga ana e policisë është kryer rrethimi i banesës dhe i është bërë thirrje personave të hapnin derën pasi do të kryhej kontroll nga policia. Të dy vëllezërit që ndodheshin brenda në banesë nuk dhanë asnjë sinjal bashkëpunimi, por përkundrazi fikën dritat dhe qëndruan brenda në banesë, pa bërë kundërshtim të punonjësve të policisë apo veprime të tjera me armë. Në momentin që punonjësit e policisë kanë shkuar në afërsi të pallatit dhe ndodheshim në pjesën hyrëse të pallatit kanë dëgjuar një të shtënë me armë zjarri, që ka ardhur nga  brendësia e hyrjes se Hekuran dhe Hysen Hoxha. Menjëherë nga ana e policisë janë marrë masat për sigurimin e banorëve të pallatit, duke kryer evakuimin e banorëve dhe atyre që qëndronin në dritare për të parë situatën.

Sërish u është bërë thirrje personave që ndodheshin në banesë për të hapur derën, por me gjithë thirrjet e vazhdueshme Hekuran dhe Hysen Hoxha nuk kanë bërë asnjë reagim. Ndaj dhe mandej është kërkuar ndërhyrja e forcave RENEA.

Me ndërhyrjen e negociatorit të forcave speciale, u arrit që në orën 01:00 të mesnatës së 29 prillit 2020, Hekuran Hoxha të hapi derën e banesës dhe u vetëdorëzua. Brenda në banesë u gjet një automatik tip kallashnikov me 28 fishekë në karikator./shqiptarja.com

Login to post comments