Analisti Fatos Lubonja komentoi në rubrikën “Opinion”, në News24, raportin e Freedom House, që thekson se Shqipëria ka pësuar rënie në qeverisjen demokratike dhe proceset zgjedhore.
Lubonja tha se kjo nuk është diçka e re, pasi ne e dinim, por e rëndësishme është se çfarë duhet të bëjmë për të dalë nga kjo situatë.
Sipas analistit, shkak i rënies së Shqipërisë është fakti se Edi Rama në projektet e tij për të kontrolluar gjithçka e ka rritur edhe më shumë kontrollin.
“Ne duket sikur duam ta shohim veten në pasqyrën e besueshme të të huajve dhe e marrim si konfirmim, gjëja është evidente te ne. Ne e marrim si referim te të huajt, por ne që jemi gazetarë kemi kohë që e themi që mediat janë të kapura, të shara, gjithnjë e më të nëpërkëmbura, të blera, dhe kjo është një strategji e qartë pushteti. Kështu që nuk është se e zbuluam, e kishim, por pyetja është se çfarë duhet bërë, si duhet të dalim nga kjo situatë. Unë gjykoj që sistemi mbahet me media, jo me polici.
Kam folur për trekëndëshin pushtet politik, pushtet mediatik dhe pushtet ekonomik, ky është thelbi i gjësë. Ajo që ka bërë që të zbritet edhe më në këtë sistem, është fakti se Edi Rama në projektet e tij për të kontrolluar gjithcka, e ka çuar edhe më kontrollin. Nëse në kohën e Berishës kishim një bashki që ishte e Ramës, apo dhe televizione të ndara me politikën, pra kishim më shumë pluralizëm oligarkiko-mediatik, ky i ka kontrolluar edhe më shumë. Duke i kontrolluar edhe më shumë shfaqet fenomeni dhe vijmë të raporti i Freedom House”, tha Lubonja.