Nga Nikoll LESI
Data 9 maj 2020 do të mbahet mend gjatë në historinë politike të Shqipërisë. Siç mbahet mend edhe 26 maji 1996, kur PD-ja në pushtet shënoi fillimin e rrëzimit të pushtetit të saj. Edhe asokohe pushteti dhe lidershipi i saj nuk donin ta ndjenin rënien, varrin që i bënë vetes dhe demokracisë me masakrën në sheshin ‘Skënderbej”.
Por ia bënë vetes, edhe popullit, por populli filloi ngritjen në protesta. Dhe i rrëzoi!
Edhe dje, me 9 maj, kryeministri Rama ka vulosur fillimin e rrëzimit të pushtetit rilindas.
Rilindja ka marrë me kohë të çara të mëdha në “muret” e pushtetit arrogant dhe të akuzuar për korrupsion. Me dhunën e ushtruar ndaj një grupi aktivistësh dhe intelektualësh, të cilët nuk donin asgjë me shumë se sa t’ju dëgjohej fjala, zëri dhe shpirti i tyre për Teatrin Kombëtar, u morën e u tërheqën zvarrë në sheshin “Skënderbej”, ndaj në sytë e botës PUSHTETI mori emrin REGJIM.
Dje thjesht nuk pati gjak si më 26 maj 1996, por mjaftoi dhuna live ndaj zërit ndryshe të artistëve dhe qytetarëve.
Nuk ishte policia autore e dhunës, ajo thjesht zbatoi udhërin e kryeministrit.
Dhe kryeministri nuk ka zgjidhje tjetër, veçse, ose të japë dorëheqjen për aktin e djeshëm dhe të hyjë në analet e historisë si një njeri që bëri autokritikë publike dhe iku. Ose të shkarkojë krejt piramidën e Ministrisë së Brendshme. Nëse Edi Rama gjen forca të dalë para popullit e të kërkojë falje publike për dhunën e djeshme, edhe mund të rigjejë veten e vitit 1996, kur akuzonte Presidetin Berisha për dhunën e 26 majit 1996.
Por PUSHTETI i tepërt, arrogant dhe korruptiv të errëson arsyen, shikimin dhe të çon të i njëjti fat që pësoi pushteti i PD pas 26 majit 1996.