Taksistët janë ngritur në protest këtë mëngjes, në rrugën “Ibrahim Rugova”, për shkak se sot iu është ndaluar të punojnë, pasi rruga do të kthehet në korsi biçikletash.
Kjo ka revoltuar taksistët, të cilët thanë për gazetarin e “News24”, Osman Stafa”, se me këtë punë ata mbajnë familjet e tyre. Sipas taksistëve, është absurde që të bëhet korsi biçikletash në krahun e djathtë dhe se një gjë e tillë nuk ka ndodhur prej 30 vitesh, që ata punojnë.
“Më mirë të na kishte kap pandemia dhe të mos ekzistonim fare si njerëz. Këtu po na bëhen shumë padrejtësi. Duhet të mbajmë familjet tona. Le të bëhet korsia e biçikletave, ama edhe në QKR thuhet që rruga “Ibrahim Rugova” është për taksexhi. Kam 30 vite punë si taksist. Korsitë e biçikletave bëhen në krah të djathtë. Më duket absurd kjo që po bëjnë, ne i kemi zbatuar të gjitha rregullat. Të kalosh biçikletën nga krahu i djathtë te krahu i majttë, mendoj se duhet ta mbash në krah. Ata duan me e bë Holandë, por ne jemi në Shqipëri”, tha një taksist.