Me lehtësimin e masave të marra në kuadër të COVID-19, qytetarët duhet të tregohen të ndërgjegjshëm, për të mos rrezikuar një rikthim të pandemisë.
Rektori i Universitetit të Mjekësisë Arben Gjata, në një intervistë për “ABC News” ka folur për menaxhimin e pandemisë dhe lehtësimin e masave.
“Fundi i pandemi nënkupton që indeksi i infeksionit në dy javët e fundit ka rënë, gjë që e bën të mundshme hapjen e jetës sociale, të ekonomisë. Ndaj besoj që jemi në fund të pandemisë dhe shumë shpejt Shqipëria ndoshta nuk do të ketë më raste me OCIVD-19, por është domosdoshme që të mos harrojmë mësimet që kemi marrë gjatë kësaj pandemie.
Sepse vërtet jemi në fund të pandemisë, por akoma kemi virus mes nesh dhe nëse gjen territor të përshtatshëm mund të përhapet dhe mund të na kthejë pas. Duhet të respektojmë rregullat e higjienës, duke shmangur edhe grumbullimet në masë”, u shpreh Gjata.
Më tej ai shtoi se rreziku duket më i vogël, dhe se masat e marra nga qeveria sipas tij ishin të domosdoshme.
“U bënë disa javë që nuk paraqiten raste me pneumoni, por gjithsesi duhet të tregohemi të kujdesshëm. Janë një sërë elementesh që kanë ndikuar. Masat që u morën ishin të domosdoshme. Karantina dhe efekte pozitive. Por kërkon një studim të thelluar që jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e Ballkanit ky virus ishte më pak i përhapur”, u shpreh ai.