Sa e rrezikshme është në të vërtetë kriza e koronavirusit? Një dokument i Ministrisë së Brendshme gjermane ka depërtuar në media dhe ka krijuar një debat të fortë.
Dokumenti është publikuar nga gazeta BILD dhe është hartuar nga Stephan Kohn.
Sipas këtij dokumenti, më shumë njerëz kanë humbur jetën nga rregullat e izolimit nga koronavirusi se nga vetë sëmundja Covid-19.
Kështu, autori i studimit thotë se numri i pacientëve që kanë vdekur dhe që do të vdesin për shkak të shtyrjes së operacioneve shkon nga 5 mijë deri në 125 mijë.
Më tej thuhet se janë mijëra persona që kanë humbur jetën për shkak të problemeve në zemër, goditjeve në tru apo prej kancerit. Po ashtu i lartë është edhe numri i vetëvrasjeve.
Gazeta BILD shkruan se Kohn është pezulluar pas publikimit të këtij dokumenti. Ministria e Brendshme thotë se ai ka shprehur opinionin e tij personal.
Prej ditësh në vendet e Europës flitet për atë që njihet si epidemia e dytë. Bëhet fjalë për shumë njerëz që kanë humbur jetën pasi nuk kanë pasur mundësi të marrin trajtim mjekësor sepse spitalet i janë dedikuar koronavirusit.