Berati është kthyer frikshëm në një zonë të rrezikshme për shkak të numrit të lartë të infektuarve me COVID -19
Gjatë 25 orëve te fundit janë 5 raste të reja me Covid-19 në Berat. Të gjithë rezultojnë të jenë familjarët e punonjëses së bashkisë Berat, që rezultoi dje pozitive me koronavirus.
Njëra prej të infektuarve është Infermiere në Repartin e Kirurgjisë në Spitalin Rajonal të Beratit. Kjo ka vënë në alarm gjithë spitalin, ku pritet që sot të kryhen rreth 60 testime në të gjithë stafin (mjekë,infermierë e sanitarë) që kanë qënë çdo ditë në punë e në kontakt të vazhdueshëm me infermieren e prekur nga Covid-19.
Pas mbërritjes mëngjesin e sotëm të 42 testeve të kryera dje nga Drejtoria e Shëndetit Publik Berat, 5 prej tyre rezultuan sot "pozitivë" dhe ata janë të gjithë familjarët e punonjëses së bashkisë.
Të prekur nga Covid-19 kanë rezultuar 2 prindërit e saj, motra, vëllai dhe vajza 2-vjeçe, ndërkohë që bashkëshorti ka rezultuar "negativ". Drejtoria e Shëndetit Publik në Berat ka kryer dje 42 "tampone", 14 i përkisnin familjarëve të punonjës së bashkisë dhe 28 ishin punonjës në bashkinë e Beratit dhe persona kontakti me të. Nga këto testime të kryera askush prej punonjësve të bashkisë nuk ka rezultuar "pozitiv", përveç 5 familjarëve të saj. Të gjithë personat që kanë rezultuar "pozitivë" me Covid-19 në Berat janë karantinuar në banesat e tyre, ndërkohë që në bashkinë e Beratit, pas dezinfektimit të saj dhe mbërritjes së të gjitha rezultateve negative të punonjësve, puna vijon normalisht,duke respektuar masat e sigurisë.
Rastet e regjistruara sot e çojnë në 10 numrin e personave të prekur nga Covid-19 në Berat në dhe kjo rrezikon kthimin e qytetit nga "zonë e gjelbër" në "zonë të kuqe".