E premtja ka rikthyer protestat e naftëtarëve në Ballsh.Ata kërcënuan se të hënën do të bllokojnë uzinën nëse nuk marrin përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ata e akuzuan këtë të fundit se nuk po u qëndron kontratave individuale të nënshkruara me naftëtarët për rifillimin e punës në rafineri dhe likujdimin e pagave të prapambetura.
“Zonja ministre, të hënën nuk do të futet askush në uzinë. Këtu nuk ka as lekë, as punë. Le të vijë ministrja të zgjidhë situatën. Përfaqësuesit e dërguar nga Ministria nuk janë seriozë. Të hënën përfaqësues të Allumit nuk do të hyjnë në uzinë. Nuk pranojmë tallje pa fund. Kontratat janë nënshkruar dhe nuk na kanë dhënë asgjë. Na u tha që lekët do kalonin në bankë. Gjysma e punonjësve kanë nënshkruar kontratë për 250 mijë lekë dhe nuk i kanë marrë” tha përfaqësuesi i naftëtarëve Sokol Dautaj.
Puna në rafinerinë e Naftës në Ballsh u ndërpre vjeshtën e kaluar pasi firma që e menaxhonte akuzoi Bankers Petrolium se nuk e furnizonte me naftë bruto.
Prej asaj kohe, naftëtarët e mbetur të papunë dhe papaguar kanë protestuar në vazhdimësi ndërsa zhvilluan edhe një grevë urie.