Është arrestuar ditën e djeshme 40-vjeçari Kastriot Gjuzi, për vrasjen e Marjo Majollarit më 10 prill në rrugën “Aleksandër Moisiu” në Tiranë.
Edhe pse është bërë sot me dije arrestimi i tij, ai është vënë në pranga teksa po përpiqej të kalonte kufirin jeshil midis Shqipërisë dhe Kosovës nga Policia Kufitare Kosovare.
Ndërkohë mësohet se ai është marrë në pyetje dy herë, por ka zgjedhur të heshtë. I shpallur në kërkim është edhe miku i tij, pasi dyshohet se e ndihmoi atë të arratisej.
Njoftimi i policisë për arrestimin e Kastriot Gjuzit
"Shërbimet e Departamentit të Policisë Kufitare të Kosovës, bënë të mundur kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim nga Policia Shqiptare: - Kastriot Gjuzi, 40 vjeç, i lindur në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, i dyshuar si autor i ngjarjes së ndodhur më datë 10.04.2018, në rrugën “Aleksandër Moisiu”, ku u vra me armë zjarri shtetasi M.M."
Sipas hetimeve i riu Majollari u vra për hakmarrje, pasi babai i tij, Avni Majollari ka vrarë dy persona, po për hakmarrje para 18 viteve në rrugën e Dajtit në kryeqytet. Një nga viktimat është Ilir Gjuzi, vëllai i Kastriot Gjuzit, i ekzekutuar në vitin 2000 nga Avni Majollari. Ndërsa viktima e dytë, Armando Nelaj, ka qenë ish-kunati i Avni Majollarit. Kur babai i tij kreu krimin e dyfishtë, Mario Majollari ishte vetëm 10-vjeç.