Tregtia me Kosovën/ Shqipëria humb vende në import

E mërkurë, 25 Prill 2018 17:42
Foto ilustruese Foto ilustruese

Agjencia e statistikave të kosovës ka publikuar të dhënat e fundit në lidhje me tregtinë e jashtme për muajin mars, ku tregohet se deficiti tregtar në vend ka rënë me 1.9 për qind, përkatësisht në 228.9 milionë euro nga 233.3 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit 2017. Eksporti ka mbuluar importin me 10.4 për qind.

Eksportet për muajin mars kanë pësuar një rënie prej 15.4 për qind, ndërsa eksportet 3.5 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kosova gjatë marsit eksportoi mallra me vlerë 26.4 milionë euro, ndërsa importoi me vlerë 255.4 milionë euro.

Shqipëria vijon të mbetet partner kryesor i Kosovës sa i përket eksporteve, ku kryeson me 20.5 për qind ose rreth 5.4 milionë euro. E ndjekur nga Maqedonia me 15 për qind eksporte, më pas Zvicra me 7.6 për qind, dhe partneri i katërt Gjermania me 7.4 për qind.

Sa i përket importeve nga të dhënat duket se Kosova po importon më pak nga Shqipëria. Vendi ynë qëndron në vend të shtatë, nga vendi i pestë të të njëjtës periudhë të një viti më parë. Kosova ka importuar mallra nga Shqipëria rreth 10 milion euro (10.323) nga 12.498 million euro në muajin mars 2017. E përkthyer në përqindje Kosova importon 4 për qind nga 4.7 për qind në muajin mars të  vitit të shkuar.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 26.1% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 15.3% e përbëjnë produktet minerale. Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 12.8% të importit e përbëjnë  produktet minerale; 11.7% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani./ Scan

Login to post comments