BSH rënia euros “shkatërron” të pasurit

E Enjte, 26 Prill 2018 14:13

Sistemi bankar ka shfaqur zhvillime pozitive gjatë vitit të kaluar, si ulje e kredive me probleme, rënie e huasë në lekë, përforcim i tendencës së kursimeve të individëve në gjysmën e dytë të vit, çka ka ulur rreziqet e tij në përgjithësi.

Banka e Shqipërisë ka prezantuar sot përpara mediave raportin e stabilitetit financiar. Në përgjithësi, Ekspozimi i sektorit bankar paraqitet më i kontrolluar. Në raportin e Stabilitetit Financiar 6-mujori II 2017, Banka e Shqipërisë thotë se, kemi një ulje të kredive me probleme dhe rritje të kontributit në këtë proces nga ristrukturimet. “Zhvillimet janë pozitive edhe në kredinë e pambrojtur nga kursi i këmbimit”- citon Banka.

Sipas saj, kemi qëndrueshmëri në ecurinë e aktivëve me rrezik dhe në afatet e maturimit të aktiv/pasivëve , gjë që tregon për moszhvendosje të investimeve drejt produkteve me rrezik të lartë. “Ekspozimet ndaj rrezikut të tregut janë të ngjashme me periudhën paraardhëse. Harta e stabilitetit të sistemit financiar dhe treguesit e akumulimit, materializimit dhe stresit financiar shfaqin përgjithësisht një situatë më të mirë”- shton më tej BSH në raport.

Edhe perceptimi i bankave për rreziqet sistemike, gjithashtu tregon një vlerësim më pozitiv sipas Bankës.

Por, BSH nënvizon se, duhet pasur parasysh se struktura e detyrimeve të sektorit bankar tregon për një vijimësi në rritjen e peshës së financimeve afatshkurtra, ndonëse më ritme më të ulëta. Të ardhurat neto nga interesi vijojnë rënien dhe kontributi kryesor në rezultatin financiar ka ardhur nga rënia e provigjioneve për rrezikun e kredisë.

Rënia e euros ka rritur rrezikun për bankat

Megjithatë, rreziqet nga kursi i këmbimit janë shtuar. Sipas ekspertëve të institucionit monetar qendror, rënia e euros ka rritur rrezikun për bankat. Ka një perceptim në rritje nga bankat për kursin, thanë ekspertët e Bankës. Çdo nënçmin nuk është i mirë për bankat që kanë dhënë kredi në euro, ndërsa kjo është një gjë e mirë për individet

Individët orientohen drejt kursimit

Gjysma e dytë e vitit dëshmoi për një orientim të individëve drejt kursimit, sipas BSH. Zgjerimi i depozitave kryesisht ne monedhe te huaj, dha kontributin kryesor në zgjerimin e pozicionit kreditor të individëve gjatë periudhës. Ndryshe nga individët, bizneset kanë ngushtuar pozicionin e tyre debitor gjatë periudhës. Rritja e depozitave te bizneseve, kontributet tërësor i rritjes së depozitave në lek, kontribuoi pozitivisht sa më lart.

Në terma vjetore. ndryshe nga prirja gjashtëmujore, individët shfaqin një ngushtim të pozicionit kreditor, me kontribut nga pozicioni kreditor në monedhën vendase. Ndërsa, bizneset regjistrojnë sërish ngushtim të pozicionit debitor, falë rënies së kredisë në monedhë të huaj.

Kredia për pasuritë e paluajtshme nuk është rritur

Të dhënat e sektorit bankar për periudhën tregojnë një nivel thuajse të pandryshuar të tepricës së kredisë për pasuri të paluajtshme, të shoqëruar me rënie të lehtë të normave të interesit të kësaj kredie dhe përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së saj,

Raporti i kredive me probleme në këtë sektor ra në 7%, nga 8.3 % në qershor të 2017 dhe 8.8 % një vit më parë. Teprica e kredisë për ndërtim ka shënuar rritje me 2 % kundrejt muajit qershor 2017, por ra me 1 % ndaj një viti më parë. Pesha e kësaj kredie zë 14 % të tepricës së kredisë së bizneseve, dukshëm poshtë nivelit prej 20 % të regjistruar në harkun kohor 2007-2011.

Në fund të periudhës, bankat raportuan një rritje minimale të kredive të kolaterizuara me pasuri të paluajtshme, në nivelin 50.5 % nga 50 % gjashtë muaj më parë. Brenda kësaj ndarjeje, 63 % e kredisë për individë dhe 46 % për biznese.

Norma mesatare e ponderuar e interesit për kredi të pasurive të paluajshme shënoi 4.4 % me rënie të lehtë gjatë periudhës, në linjë me prirjen e viteve të fundit.

Edhe në vrojtimin e fundit të Bankës së Shqipërisë për standardet e kreditimit u konstatua një pesimizëm i bankave për kredinë për pasuri të paluajtshme. Banka e Shqipërisë në raportin e fundit të vrojtimit të kredisë pohoi se në tremujorin e parë të vitit 2018, standardet e kreditimit për individët u raportuan të shtrënguara, si për kredinë për blerje banese, ashtu edhe për kredinë për konsum. Standardet e kreditimit priten të mbeten të shtrënguara edhe në tremujorin e dytë të vitit, si për kredinë për blerje banese, ashtu edhe atë për financimin e konsumit.

Në vrojtimin për kredinë në tremujorin e parë të 2018 bankat tregtare pohuan se kanë shtrënguar kushtet për kreditimin e individëve për shkak të zhvillimeve në pasuritë e paluajtshme. Këto zhvillime bashkë më përkeqësimin e gjendjes financiare të individëve ishin dy faktorët themelore që dhanë balancat më të larta negative ne shtrëngimin e kushteve të kreditimit për individët.

Fshirje e kredive, por edhe ristrukturim

Në uljen e kredive me probleme, që zbritën në 13,2% të totalit ka ndikuar si fshirja e tyre, ashtu dhe ristrukturimi. Procesi i fshirjes së kredive të humbura nga bilancet e bankave u shoqërua me një nivel të lartë të shlyerjes dhe ristrukturimeve në sistemin bankar, duke sjellë rrjedhimisht edhe një përmirësim të ndjeshëm të kredisë në tërësi dhe veçanërisht të kredisë së pambrojtur në valutë, theksoi banka.

Gjatë periudhës stoku i kredive me probleme ka rënë në mënyrë të ndjeshme. Në dhjetor 2017 atoku arriti në rreth 80 mld lekë, duke qenë 14.5 % më i ulët ndaj gjashtë muajve më parë. Ndaj një viti më parë, kreditë me probleme janë tkurrur me rreth 30 mld lekë, ose me 28 %. Rënia e stokut të kredive me probleme ka ardhur si pasojë e ristrukturimit të këtyre kredive, shlyerjes së kredive në klasa të ndryshme të portofolit me probleme dhe fshirjes së kredive të humbura nga bilancet e bankave. Norma e mbulimit të provigjioneve të kredive me probleme ka rënë. Në fund të vitit, raporti i kredive me probleme shënoi 13.2 % nga 15.6% në qershor të 2017 dhe 18.2 % një vit më parë.

Në përmirësimin e cilësisë së kredisë kontributin kryesor e kanë dhënë bankat e mesme dhe të vogla. Në vlerë absolute, kreditë më probleme në këto grupe u ngushtuan me 5 dhe 4.5 mld lekë ndërsa RKP-ja e tyre zbriti në 12.8 % dhe 11.9 %

Cilësia e kredisë paraqitet e dobët për kredinë në valutë, kredinë për bizneset dhe kredinë në afat të gjatë maturimi. Në fund të 2017, cilësia e kredisë për secilën nga këto segmente shënoi përkatësisht 14.7 % (valuta), 16.9 % bizneset dhe 15.1 % afat i gjatë.

Cilësia e kredisë së pambrojtur në valutë ka ardhur në përmirësim të vazhdueshëm që prej fillimi të vitit 2015, niveli i të cilës ra në 12.5 % nga 13.8 % në fund të gjashtëmujorit të parë, të ndikuar nga rënia më e shpejtë e stokut të kredive më probleme në krahasim më tkurrjen e tepricës së kredisë së pambrojtur./Monitor

Login to post comments