Vëllai i viktimës në Kamëz: S'ka siguri, populli do aramatoset si në 1997

Premte, 27 Prill 2018 19:27

Grabitjet me dhunë të regjistruara kohët e fundit me pasojë vdekje kanë ngritur nivelin e alarmit tek qytetarët.

Familjarë të Agim Bucit, i cili u vra dy ditë më parë në Kamëz  gjatë tentaivës për ti grabitur marketin, mes dhimbjes për humbjen e njeriut të tyre dhe plagosjen e bashkëshortes së tij, kërkojnë marrjen e masave nga autoritetet ligjzbatuese.

Rifat Buci: Po të punojë policia, me dasht me e bo punën policia stabilizohet vendi se nuk jemi Kina me një miliard banorë. Ne 3 milion vritemi ditë për ditë, çdo natë vrasje.Ça bën policia, fle gjumë?

Nëse nuk ndërhyhet për të forcuar sigurinë në vend, vëllai i Agim Bucit thotë për Ora News se qytetarët do të detyrohen të armatosen si në '97 për të mbrojtur veten dhe familjen e tyre.

Rifat Buci: Nëse duan me bo shtet politikanët, me e stabilizu popullin mirë. Ndryshe po të them unë, gjithësecili ka për të dalë nesër, do të çohet populli në revoltë dhe ka për tu pajisur komplet me armë si në '97 se do të ruajë shtëpinë, kokën dhe fëmijët e vet. Mbaje mend këtë që po të them. Unë i bëj thirrje politikës, të kenë turp. Nuk më kanë ardhur asnjë, kanë ardhur gazetarët, ka ardh Lul Basha. Nuk më hyn në punë puna e partive, por respekti që më kanë bërë për fatkeqësinë që më ka ndodhur në familje. Kjo më intyereson mua. Nuk janë shqetësuar dhe nuk e kanë vënë ujin në zjarr fare. Presidenti, erdhi këshilltari i tij me një tufë lule, rëndësi ka që u paraqit. Por e përsëris, nëse nuk do të marrin masa me stabilizu popullin, populli është duke vuajtur, po rri me frikë, duke ecur rrugës me frikë. Për mua shteti ka përgjegjësi. Nëse duan me vendos drejtësi i kanë aty. Djali 6 vjeç ka përjetuar terror. Nesër do të ndodhë ty, do tu ndodhë politikanëve. Krimineli dhe hajduti nuk ka.Do shkojë dhe politikanin ta vrasë. Populli nuk ka mbrojtje.

Të njëjtin qëndrim ndan dhe kushëriri i tyre.

Kushëriri: Të vijë ai tjetri të më marrë ekonominë, të më traumatizojë fëmijën, të bëjë terror në shtëpi, popullit nuk i mbetet gjë tjetër ose drejtësia të shkojë në vend ose hakmarrje. Vetëm me kalu në vetëmbrojtje.Të merren masat ndryshe e fut popullin në qorrsokak.Policia e bëri punën e vet, tani duhet ta bëjë drejtësia. Me më pyet mua, kërkoj dënim kapital. Por të funksionojë drejtësia në këtë vend, nëse nuk funksionon do të kalojë në vetëgjyqësi.

Login to post comments