Meta darkon me Patriarkun e Moskës

Diel, 29 Prill 2018 21:28

Presidenti Meta në darkën zyrtare me Patriarkun e Moskës dhe të Gjithë Rusisë, Shenjtërinë e Tij Kirill: Harmonia, respekti i ndërsjellë, toleranca, mirëkuptimi, vlerësimi reciprok dhe solidariteti janë tiparet e raporteve mes besimeve fetare në Shqipëri si dhe thesari më i çmuar i trashëgimisë sonë historike dhe kombëtare.
29 prill 2018

 

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta së bashku me zonjën Monika Kryemadhi dhe dy vajzat e tyre Borën dhe Erën, mikpritën sonte me një darkë zyrtare Patriakun e Moskës dhe Gjithë Rusisë, Shenjtërinë e Tij Kirill me rastin e vizitës historike në vendin tonë.

Duke iu drejtuar Shenjtërisë së Tij Kirill dhe delegacionit të Patriarkanës së Kishës Ortodokse të Rusisë, Fortlumturisë së Tij Kryepeshkopit Anastas dhe peshkopëve të Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare, krerëve të bashkësive fetare në Shqipëri, Nuncit Apostolik Imzot Brown, Ambasadorit të Federatës Ruse Karpushin, krerë institucionesh dhe të ftuarve të tjerë, Presidenti i Republikës u shpreh:

“Fort Shenjtëria Juaj, Patriark i Moskës dhe të gjithë Rusisë!

Mirë se keni ardhur në Shqipëri!

Ju uroj qëndrim sa më të këndshëm dhe përmbushje me sukses të misionit tuaj shpirtëror, atë të paqes dhe të solidaritetit, në vendin tonë!

Fortlumturia Juaj, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë!

31466786_425646107861231_2879893039323545600_n

Të nderuar krerë të bashkësive fetare në vendin tonë!

Hirësitë Tuaja!
Zonja Ministre e Kulturës,
Shkëlqesi Ambasadorë!
Të nderuar zonja dhe zotërinj!

Jam shumë i gëzuar të jem sonte mikpritësi juaj në këtë darkë solemne për nder të një ftuari të veçantë, Patriarkut të Moskës dhe të Gjithë Rusisë.

Vizita Juaj në tokën shqiptare përkon me 97-vjetorin e shpalljes së autoqefalisë së Kishës Ortodokse të Shqipërisë si dhe me 81-vjetorin e njohjes kanonike të saj në prill të vitit 1937.

Një vepër historike që kapërcen kufijtë e besimtarëve ortodoksë të Shqipërisë, një ngjarje shumë e rëndësishme kombëtare.

Kjo mëvetësi u fitua me shumë mund, përkushtim, e sakrifica. Falë dashurisë, urtësisë, falë forcës së besimit të madh tek feja, Atdheu dhe Zoti misionarët dhe martirët shqiptarë të fesë e fituan këtë betejë të mundimshme.

Ne u mbetemi përjetësisht mirënjohës atyre.

Besimi tek Zoti dhe te ungjilli i shenjtë në trojet tona është nga më të lashtët: “Kështu prej Jeruzalemit e përqark e gjer në Ilirik, kam predikuar Ungjillin e Krishtit.” i shkruan, në vitet 55-57 pas Krishtit, Apostulli Pavli nga Korinthi bashkësisë së Romës.

Besimi te Zoti në Shqipëri është madje, edhe shumë i veçantë, e ne jemi të gjithë shumë krenarë për këtë.

Harmonia, respekti i ndërsjellë, toleranca, mirëkuptimi, vlerësimi reciprok dhe solidariteti janë tiparet e raporteve mes besimeve fetare në Shqipëri si dhe thesari më i çmuar i trashëgimisë sonë historike dhe kombëtare, të cilën ne përpiqemi ta përsosim e ta pasurojmë më tej.

Ruajtja e besimit fetar në Shqipëri ka kaluar nëpër një kalvar të gjatë përpjekjesh dhe sakrificash.

Shumë nga klerikët u burgosën, u internuan ose u martirizuan nga regjimi më i ashpër komunist i kohës.

Me qindra objekte të kultit u rrafshuan e u rrënuan si dhe klerikët e udhëheqësit shpirtërorë të bashkësive fetare, u persekutuan pa mëshirë.

Kjo kohë e errët e historisë së besimit në Shqipëri mori fund në vitin 1990, me ndryshimet demokratike, për të filluar epokën e re të ringjalljes së besimit dhe ringritjes së institucioneve të kultit.

Dëshiroj të përcjell për të gjithë prijësit e bashkësive fetare këtu, mirënjohjen dhe admirimin e thellë për misionin fisnik e hyjnor, në funksion të përhapjes së fjalëve të Zotit dhe mësimeve të shenjta!

Me shumë sakrifica dhe mund, ju ringjallët dhe lartësuat besimin nga hiri dhe rrënojat e diktaturës, për të çuar kudo e ndërmjet të gjithëve, pajtim, vëllazërim e përbashkim, duke mjekuar e shëruar plagët sociale në dobi të paqes e të një shoqërie më të mirë, e më të begatë.

Gjej rastin të çmoj lart figurën e ndritur të Kryepeshkopit Anastas, këtij bariu të nderuar të besimtarëve ortodoksë në Shqipëri.

Kontributi dhe përkushtimi i tij ndër vite i ka shërbyer jo vetëm ringritjes kanonike dhe shpirtërore të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, por edhe arsimimit dhe përgatitjes së brezit të ri të klerikëve shqiptarë, që kanë kontribuuar në lartësimin e besimit dhe përhapjen edhe jashtë Shqipërisë, të vlerave të patjetërsueshme të harmonisë dhe tolerancës fetare mes shqiptarëve.

E paharrueshme është vepra Juaj Fortlumturi për të shëruar dhimbjen e thellë të shqiptarëve të Kosovës të dëbuar nga dhuna dhe lufta atje në vitet 98-99.

Emri dhe personaliteti i tij kanë bërë që Kisha Autoqefale e Shqipërisë dhe besimi ortodoks shqiptar të njihet, të vlerësohet e respektohet anë e kënd botës.

Vizita e Shenjtërisë suaj në Tiranë është prova e gjallë e kontributit të Tij të pazëvendësueshëm, për të cilin i jemi shumë mirënjohës.

Fort i nderuar, Shenjtëria Juaj, Patriark i Moskës dhe të gjithë Rusisë!
Fatkeqësisht edhe Kisha Ortodokse ruse ka kapërcyer përgjatë shekullit të kaluar vështirësi, peripeci dhe me shumë sakrifica ka mundur të ringrihet e të jetë ajo që është sot. Edhe vetë familjes suaj i është dashur të sakrifikojë nga besimi tek Zoti.

Mundimet dhe sakrificat e përbashkëta në të kaluarën janë një mësim i madh për të ndërtuar bashkërisht një të ardhme më të mirë në dobi të njeriut, të shoqërisë, të paqes, solidaritetit dhe në shërbim të Zotit.

Unë jam besimplotë se vizita Juaj do t’i shërbejë këtij misioni universal, falë përvojës, urtësisë, fuqisë shpirtërore dhe ndjenjës së solidaritetit që ju po përcillni në Shqipëri.

Jetojmë në kohë të vështira të përmbysjeve sociale dhe të transformimeve të vrullshme të teknologjisë dhe komunikimit, të cilat sfidojnë çdo ditë individin, familjen, shoqëritë, qeveritë, shtetet dhe institucionet fetare.

Gjuha e urrejtjes, e dhunës, veprimet intolerante, shfaqjet e diskriminimit e paragjykimet fetare e etnike, terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm, konfliktet dhe luftërat me pasoja të rënda humanitare janë sot rreziku më i madh për njerëzimin.

Fetë dhe besimet kanë rolin e tyre të pazëvendësueshëm për një ndërtuar një paqe të qëndrueshme dhe universale mes popujve dhe kombeve.

Feja nuk duhet përdorur kurrë në shërbim të ideve dhe qëllimeve të dhunshme.

Ajo duhet t’i shërbejë gjithmonë paqes, dashurisë, solidaritetit dhe harmonisë.

Sepse siç na mësojnë edhe librat e shenjtë, Zoti është paqja e jo dhuna!

Në përfundim, më lejoni Shenjtëria Juaj të ngre një dolli për shëndetin Tuaj dhe për të gjithë anëtarët e këtij delegacioni të lartë, për të gjithë besimtarët tuaj dhe popullin rus duke Ju uruar begati, paqe, lumturi dhe mirëqenie!

Një urim të veçantë për miqësinë e çmuar gjysmëshekullore që festojmë sot, mes Fortlumturisë së Tij Kryepeshkopit Anastas dhe Shenjtërisë së Tij Patriarkut Kirill!

Zoti na bekoftë të gjithëve!

Ju faleminderit!”

Ndërsa Patriarku i Moskës dhe Gjithë Rusisë, Shenjtëria e Tij Kirill në përshëndetjen me këtë rast, vuri në dukje:

“Shkëlqesia Juaj, fort i nderuar zoti President!
Fortlumturia Juaj, Kryepiskopi Anastas i dashur në Zotin!
Hirësitë Tuaja!
Të dashur etër, vëllezër dhe motra,
Zonja dhe zotërinj!

Dëshiroj të përshëndes përzemërsisht të gjithë ata që Presidenti i Shqipërisë i ka mbledhur në këtë darkë solemne. Për mua është një nder i madh të ndaj këtë tryezë bashkë me Ju, zoti President, dhe me të gjithë mysafirët. Tani që ndodhem në tokën shqiptare, nuk resht së admiruari mikpritjen dhe zemërgjerësinë e popullit shqiptar.

Kjo është vizita e parë në histori e Primatit të Kishës Orthodhokse Ruse në Shqipëri. Megjithatë, Kishat Orthodhokse të Rusisë dhe Shqipërisë kanë tradita shumëvjeçare të marrëdhënieve më të mira. Kishat tona jo vetëm ndajnë besimin e përbashkët dhe kanë përjetuar përvoja të ngjashme të persekutimeve të ashpra në shekullin XX, por gjithashtu mbajnë qëndrime të përbashkëta për sa u përket çështjeve kryesore të ditëve të sotme, duke demonstruar unitetin e Orthodhoksisë. Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas mbetet gjithmonë një mik i dashur dhe i shtrenjtë në Rusi.

Ringritja e jetës fetare në Shqipëri po jep fryte të mira dhe të çmuara për të gjithë shoqërinë shqiptare. Epoka e ateizmit të dhunshëm dhe përndjekjeve masive kundër fesë nuk arriti ta thyente shpirtin e popujve tanë, të cilët edhe sot e kësaj dite po i tregojnë të gjithë botës përkushtimin e tyre të përbashkët ndaj vlerave tradicionale, si edhe bashkëjetesën fetare.

Më vjen mirë të vë në dukje nivelin e lartë të marrëdhënieve ndërmjet kishës dhe shtetit në Shqipëri, ku jo vetëm Kisha Orthodhokse, po edhe komunitete të tjera fetare janë partnerë të besueshëm të shtetit në kauzën për forcimin e moralit në shoqëri. Ky është parakushti i harmonisë mes njerëzve dhe mes grupeve të ndryshme shoqërore.

Ju uroj Juve, fort i nderuar zoti President, dhe të gjithë të pranishmëve fuqi të madhe shpirtërore dhe trupore, dhe suksese në çdo nismë të drejtë, ndërkohë që popullit shqiptar i uroj paqe dhe begati.

Login to post comments