Data e sotme, 1 Maj shënon Ditën Botërore të Punës. Në këtë kuadër, Organizata Botërore e Punës ka bërë me dije se një ndër çështjet më tepër shqetësuese në këtë fushë është punësimi informal. Sipas raportit më të fundit të bërë publik nga ILO, Shqipëria ka përqindjen më të lartë në Europë për punimin informal, përkatësisht me 61 %…
Dy miliardë njerëz – më shumë se 61 për qind e popullsisë së punësuar në botë, punojnë në mënyrë joformale, sipas të dhënave të raportit më të fundit të Organizatës Botërore të Punës (ILO).
Në Evropë dhe Azinë Qendrore, një e katërta (25.1 për qind) e popullsisë së punësuar angazhohet në punë informale dhe pjesa tjetër në 20.9 për qind, duke përjashtuar bujqësinë. Evropa Jugore dhe Perëndimore janë nën mesataren rajonale që zënë 14.3 për qind. Në Evropën Lindore (31.5 për qind) dhe në Azinë Qendrore dhe Perëndimore (43.4 për qind).
Pjesa e punësimit joformal në nën-rajonin në zhvillim (36.8 për qind) është dy herë më e lartë se në rajonin e zhvilluar (15.6 për qind). Pjesa e punësimit joformal në Shqipëri (61.0 për qind) dhe Armeni (52.1 për qind) janë ndër më të lartat në rajon dhe për të cilën ankohet më shumë se gjysma e popullsisë së punësuar. Sa i përket të dhënave të Shqipërisë, gra në punë informale janë 63.5 %, prej të cilave 36.4 % konsiderohet ato shtëpiake. Dy vendet e tjera të rajonit të studiuara, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia, e kanë përqindjen dukshëm më të ulët, përkatësisht 30.1 % dhe 22.1 %. Raporti i ILO thekson se një kalim në ekonominë formale është kusht për të realizuar punë të denjë për të gjithë.
Gjetje të tjera të raportit:
Në Afrikë, 85.8 për qind e punësimit është joformale. Ndarja është 68.2 për qind në Azi dhe Paqësor, 68.6 për qind në shtetet arabe, 40.0 për qind në Amerikë dhe 25.1 për qind në Evropë dhe Azinë Qendrore.
Raporti tregon se 93 për qind e punësimit joformal në botë është në vendet në zhvillim.
Punësimi informal është një burim më i madh punësimi për burrat (63.0 për qind) sesa për gratë (58.1 për qind). Nga dy miliardë punonjës në botën e punësimit joformal në botë, pak më shumë se 740 milionë janë gra. Gratë janë më të ekspozuara ndaj punësimit joformal në shumicën e vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme dhe më shpesh gjenden në situatat më vulnerabël.
Niveli i arsimit është një faktor kyç që ndikon në nivelin e informalitetit. Globalisht, kur niveli i arsimit rritet, niveli i informalitetit zvogëlohet, thotë raporti. Njerëzit që kanë përfunduar arsimin e mesëm dhe të lartë kanë më pak gjasa që të jenë në punësim joformal, në krahasim me punëtorët që nuk kanë arsim ose kanë përfunduar arsimin fillor.
Njerëzit që jetojnë në zonat rurale pothuajse dy herë më shumë kanë gjasa të jenë në punësim joformal, si ato në zonat urbane. Bujqësia është sektori me nivelin më të lartë të punësimit joformal – vlerësuar në më shumë se 90 për qind.
Dy nga autorët e raportit, Florence Bonnet dhe Vicky Leung, theksojnë se, ndonëse jo të gjithë punëtorët joformalë janë të varfër, varfëria është edhe shkak, edhe pasojë e informalitetit. “Raporti tregon se të varfrit përballen me norma më të larta të punësimit joformal dhe se normat e varfërisë janë më të larta në mesin e punëtorëve në punësim joformal”, tha Leung, citohet në raport.
Bonnet, nga ana e saj, theksoi: “Ka një nevojë urgjente për të trajtuar informalitetin. Për qindra miliona punëtorë, informaliteti nënkupton mungesën e mbrojtjes sociale, të drejtat në punë dhe kushtet e duhura të punës, si dhe për ndërmarrjet nënkupton produktivitet të ulët dhe mungesë të qasjes në financa. Të dhënat mbi këto çështje janë vendimtare për hartimin e politikave të përshtatshme dhe të integruara, që përshtaten me diversitetin e situatave dhe nevojave”. /Monitor.al/