"Thuaj vajzës të heshtë", dëshmia për mësuesin që ngacmonte nxënëset

E mërkurë, 02 May 2018 10:54

Pas denoncimit që familjarët e të miturës në fshatin Kalasë të Delvinës bënë ndaj ish-mësuesit të shkollës 9 vjeçare Neshat Tepelena për ngacmim seksual, shtohen zërat kundër tij.

Babai i shoqes së klasës së 11 vjeçares që ra pre e ngacmimit, thotë se mësuesi Neshat Tepelena e ka telefonuar dhe i ka kërkuar që vajza e tij të mos flasë rreth asaj që ka parë në shkollë.

“Disa ditë pa publikimit të ngjarjes, mësuesi Neshat Tepelena më ka telefonuar mbi 10 herë dhe më ka tha: Thuaj vajzës të thotë që nuk ka parë gjë”, tha  Viktor Ajdini për “Ora News”

Një ditë më parë, Gjykata e Sarandës e vlerësoi të ligjshëm arrestimin e mësuesit 60 vjeçar Neshat Tepelena të dyshuar për veprime të turpshme ndaj të miturave dhe e la në masë sigurie 'arrest me burg' deri në fund të hetimeve.

Në të njëjtën seancë, Gjykata e Sarandës, shpalli moskompetencë për të gjykuar çështjen me themel për shkak se nuk ka një seksion për të mitur.

Procesi ndaj 60 vjeçarit do të vijojë pranë Gjykatës së Gjirokastrës.

Ai u denoncua publikisht nga një 11 vjeçare, ish-nxënëse e tij në shkollën 9 vjeçare të fshatit Kalasë të Delvinës, por dyshohet edhe për raste të tjera.

Vajza e mitur tha se mësuesi i bëri presion për notat dhe e puthi në buzë në klasë.

Pas dëshmisë, mësuesi u vu në pranga nga policia e Delvinës me dyshimin për ngacmim seksual.

Sipas banorëve të fshatit Kalasë, mësuesi ka qenë i përfshirë në ngjarje të tilla edhe më herët, në një rast madje çështja shkoi deri në Drejtorinë e Arsimit, por kaloi vetëm me vërejtje.

Ai vetë ka mohuar akuzat gjatë marrjes në pyetje në Policinë e Delvinës.

Login to post comments