Në Lezhë është zhvilluar një forum me qytetarët në lidhje me sigurinë publike, e të shumtë kanë qenë qytetarët që i janë drejtuar me pyetje Ministrit të Brendshëm Xhafaj e ambasadores së BE-së në Tiranë Romana Vlahutin.
Njëri ndër personat që ka folur ka qenë dhe hoxha i xhamisë së Lezhës, i cili ka kërkuar rikthimin e dënimit me vdekje, një kërkesë kjo që është pritur me ovacione nga shumë të pranishëm në sallë.
“Shqipëria është rast i veçantë dhe në Europë duhet të pranohet si një rast i veçantë se nëse rikthehet dënimi me vdekje do të zgjidhen shumë plagë sociale që kanë mbërthyer vendin. Ne si komunitet musliman do lobojmë në Parlament nëse jepet drita jeshile prej jush”, tha Hoxha.
Por si replikë, ka ardhur një reagim nga ana e Ambasadores Vlahutin, e cila i ka thënë hoxhës se Bashkimi Evropian nuk pranon të tilla gjëra.
“Ky është një sugjerim po duhet të dini që ka disa vlera themelore që do të thotë jeta e çdo njeriu duhet mbrojtur. Ka një shtet të së drejtës, një shtet që ne po përpiqemi shumë të ndihmojmë që të funksionojë. Dënimi me vdekje nuk pranohet nga BE”, tha Vlahutin.
Ambasadorja gjithashtu kërkoi nga të pranishmit që të mos kërkojnë më azil në shtetet e BE-së, duke argumentuar se Shqipëria është në mes të Evropës dhe se azilkërkimi është për ata persona, shtetet e të cilëve janë në luftë.
“Shqipëria nuk ka nevojë të shkojë në Europë, pasi ajo është në hartën e Evropës. Një thirrje nëse mendoni të gjeni ndonjë mënyrë tjetër për të lëvizur nga vendi mos e bëni përmes idesë që të kërkoni azil. Azilkërkimi nuk është për Shqipërinë po për ata njerëz që kanë kaluar vuajtje siç janë ata nga Siria dhe Afganistani”, tha ajo.