Zbulohet data kur do të nisë seanca e parë gjyqësore e gjyqit ndaj personave të arrestuar në kuadër të operacionit “Rosa Dei Venti”, ekzekutuar nga Policia italiane më 14 tetor të vitit 2017.
Me akuzën e pjesëmarrjes në aktivitet kriminal, në trafik ndërkombëtar droge e armësh, autoritetet italiane vunë nën hetim personat e konsideruar si anëtarë të një bande kriminale e drejtuar nga dy vëllezërit vlonjatë Moisi e Florjan Habilaj.
Në dosjen hetimore të Prokurorisë së Katanias me përgjimet 5-vjeçare ndaj këtij grupi trafikantësh, përmendet disa herë dhe emri i ish-ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri.
Më 31 maj 2018, personat e arrestuar nga hetimet e operacionit “Rosa dei Venti”, me kërkesë të prokurorit të Katanias Andrea Bonomo do të dalin para trupit gjykues të drejtuar nga gjykatësi Giancarlo Cascino.
Cilët janë personat e vënë hetim deri më tani nga Prokuroria e Katanias?
A figuron emri i ish minstrit Tahiri në regjistrin e të hetuarve?
Këto pyetje priten të marrin përgjigje me nisjen e procesit gjyqësor, si dhe gjatë zhvillimit të seancave të tij ku do të zbardhen detajet e operacionit, përgjimet e antimafias italiane si dhe versionet e fakteve të vënë nën akuzë nga të arrestuarit.
Deri në mes të dhjetorit të vitit 2017 në regjistrin e të hetuarve për operacionin Rosa dei Venti figurojnë 15 persona; Moisi Habilaj, Angelo Busacca, Fatmir Minaj, Gianluca Passavanti, Antonino Riela, Maridian Sulaj, Vincenzo Spampinato, Fabio Spampinato, Carmen Sandro Berolini, Enrivo Maria Giaquinta, William Patane, Massimiliano Maria Brundo, Rosario Giuliano, Antonio Greco, Giuseppe Greco, si dhe Nezar Seitaj i arrestuar nga Prokuroria shqiptare dhe i ekstraduar në Itali.
Prokuroria e Katanias dhe Antimafia Italiane prej disa muajsh kanë përcjellë në Tiranë dosjen hetimore ndaj këtij grupi trafikantësh duke kërkuar informacione e bashkëpunim hetimor në zbardhjen e plotë të përgjegjësve të këtij trafiku të madh droge mes Shqipërisë dhe Italisë./Ora News/