Familjarët e 57-vjeçarit Xhafer Osmani që u gjet i djegur brenda makinës së tij në fshatin Borizan të Krujës kanë mbërritur në orët e paradites pranë morgut në QSUT. Pasi kanë pritur disa orë, ata i janë drejtuar policisë shkencore për të kryer procedurat për tërheqjen e trupit.
Osmani u gjet i djegur brenda makinës së tij mesditën e së shtunës ndërsa pak orë më vonë u zbulua dhe identiteti i tij.
Burimet paraprake bëjnë me dije se 57-vjeçari është torturuar dhe më pas është djegur në makinë. Forcat policore që po hetojnë ngjarjen thonë se në vendin e krimit makabër në Fushë-Krujë kanë gjetur prova të shumta, për të arritur në gjurmët e autorëve.
Shtetasi kosovar kishte hyrë me mjetin e tij tip “Volksëagen Touran” me targa 02960SN në Shqipëri pesë ditë para se të gjendej i vdekur. Ka dyshime të forta se ai mund të jetë marrë peng për t’i nxjerrë ndonjë informacion, e më pas është eliminuar.
Po kështu dyshohet se 57-vjeçari ka fjetur në disa hotele të ndryshme në qytetin e Durrësit, por ende nuk është arritur të zbulohet nëse ka pasur një raport të qëndrueshëm, lidhje dashure për një kohë të gjatë me një femër në Shqipëri.
Për të tërhequr trupin e kosovarit të masakruar dhe pastaj djegur në Fushë-Krujë ka ardhur në Shqipëri vëllai i tij. Ai ka deklaruar se Xhafer Osmani 57 vjeç ishte beqar dhe ka kërkuar me ngulm kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore. Pas insistimit të këtij të fundit, pritet që ekspertiza të dalë sot.