Sektori i ndërtimit gjeneratori i kredive të këqija

Hënë, 07 May 2018 15:04

Sektori i ndërtimit i cili u kreditua masivisht gjatë dekadës së kaluar është kthyer në një gjenerator të kredisë së pakthyer në banka.
Banka e Shqipërisë raporton se 27% e kredisë totale të dhënë për ekonominë është e pambrojtur nga kursi i këmbimit. Kjo është ajo kategori i huasë që rrezikon të mos kthehet më së shumti në banka dhe rezulton të jetë akorduar për sektorin e pasurive të paluajtshme.
Sipas qëllimit të përdorimit, peshën kryesore në stokun e kredive me probleme, brenda kredisë së pambrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit, e zë kredia për “investime në pasuri të paluajtshme” me 57%, nga 72% që ishte më 2016.
Banka e Shqipërisë analizon se huaja “investime në pasuri të paluajtshme” klasifikohet në tre kreditë me nivelin më të lartë të raportit të moskthimit (rreth 15.1%), së bashku me kredinë dhënë për zhvillim biznesi (21.6%) dhe kredinë dhënë bizneseve për zhvillimin e pasurive të paluajtshme (rezidenciale) me (16.9%).
Nivelin më të ulët të kredive me probleme të pambrojtura nga rreziku i kursit të këmbimit, e ka kredia konsumatorë me vetëm 4.5%.
Nisur nga historiku jo i mirë bankat tregtare ne vend po tregohen skeptike për kreditimin e sektorit të ndërtimit.
Të dhënat e sektorit bankar për vitin 2017 tregojnë një nivel pothuaj të pandryshuar të tepricës së kredisë për pasuri të paluajtshme.
Teprica e kredisë për ndërtim në 6-mujorin e dytë të 2017 ra me 1% ndaj një viti më parë. Pesha e kësaj kredie zë 14% të tepricës së kredisë së bizneseve, duke mbetur dukshëm poshtë nivelit prej rreth 20% të regjistruar gjatë harkut kohor 2007–2011.
Të trembura se mos situata e kredisë me probleme përsëritet në sektorin e ndërtimit bankat kanë shtrënguar kriteret e huadhënies të trembura nga një fluks çmimesh nga mbioferta për banesa.

Login to post comments