Niveli ende i lartë i kredive me probleme, që në fund të 2017-ës arriti në 13.2% po kushtëzon huadhënien e re për ekonominë, e cila sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, mbetet anemike. Por institucioni mbikëqyrës bankar ka zbardhur në Raportin e Stabilitetit Financiar se për cfarë janë dhënë kreditë e këqija, ato që nuk kthehen dot nga marrësit e tyre pavarësisht periudhës shumëvjecare të lëvrimit të tyre.
“Sipas qëllimit të përdorimit, peshën kryesore në stokun e kredive me probleme, brenda kredisë së pambrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit, e zë kredia për ‘investime në pasuri të paluajtshme’ (57%), e cila gjatë periudhës u tkurr me 15%.
Kjo lloj kredie klasifikohet në tre kreditë me nivelin më të lartë të raportit të kredive me probleme (rreth 15.1%), së bashku me kredinë dhënë për zhvillim biznesi (21.6%) dhe kredinë dhënë bizneseve për zhvillimin e pasurive të paluajtshme – rezidenciale (16.9%).Gjatë periudhës, vetëm raporti i kredive me probleme (RKP ) për kredinë për zhvillim biznesi shënoi rritje. Nivelin më të ulët të RKP-së, nga kategoria e kredive të pambrojtura nga rreziku i kursit të këmbimit, e ka kredia konsumatore me 4.5%”, theksohet në raportin e BSH-së.
Institucioni mbikëqyrës bankar vlerëson se rënia e stokut të kredive me probleme është shoqëruar me përmirësimin e treguesit të cilësisë së portofolit. Në fund të vitit që lamë pas, raporti i kredive me probleme shënoi 13.2% nga 15.6% në qershor të 2017-ës dhe 18.2% një vit më parë. Rënia e nivelit të kredive me probleme është rezultat kryesisht i fshirjes nga bilanci që bankat po u bëjnë këtyre huave, ndërkohë që vetëm një pjesë e tyre po ristrukturohet, me qëllim shlyerjen sipas termave të reja të marrëveshjes mes kredimarrësit dhe bankës përkatëse.
“Brenda strukturës së kredive me probleme, si rezultat i ristrukturimeve, shyerjeve dhe kredisë së re, tepricat e kredive që bëjnë pjesë në kategoritë në “ndjekje” dhe “nënstandard” janë tkurrur me përkatësisht 14% dhe 17%; ndërkohë që, kredia në klasën “standard” u zgjerua me rreth 6%.“Kredia e klasifikuar ‘e humbur’, e cila zë peshën kryesore ose rreth 58% të kredive me probleme, është ngushtuar me 17% (rreth 10 miliardë lekë). Rënia ka ardhur kryesisht si pasojë e largimit të një pjese të kredive të humbura nga bilanci, në përmirësimin e cilësisë së kredisë, kontributin kryesor e kanë dhënë bankat e mesme dhe të vogla”, vlerëson Banka e Shqipërisë.
Edhe pse ka pësuar rënie, niveli i kredive me probleme mbetet i lartë dhe konsiderohet një ndër elementët shqetësues të sistemit bankar, në monitorim të vazhdueshëm jo vetëm nga BSH, por edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare, si FMN e Banka Botërore. Kjo pasi ky tregues po kushtëzon aktualisht bankat në politikat e tyre të kreditimit, që janë edhe financueset kryesore të ekonomisë. Ekonomix.al