Euro është duke humbur pikë edhe gjatë ditës së sotme. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro u këmbye sot me 127.07 lekë, rreth 0.17 lekë më pak se një ditë më parë. Euro ka filluar rënien që prej fundit të Prillit dhe sot ka shënuar ditën e tetë radhazi që ka humbur pikë ndaj monedhës vendase me 2 pikë minus. Ky është niveli më i ulët që nga fillimi i shkurtit 2009.
Prej fillimit të vitit 2018, deri sot euro ka humbur më shumë se 5.8 pikë ndaj lekut vendas. Kjo rënie kaq e fortë nuk pritej që tani. Ekspertët e tregut kishin parashikuar që euro do të prekte këto nivele gjatë sezonit turistik, ku flukset e emigrantëve dhe turistëve rrisin më tej ofertën në valutë në vend. Sipas ekspertëve të tregut, tendenca rënëse e euros do të vijojë. Faktori kryesor vijon të mbetet oferta e lartë për euro, sidomos ajo informale, që po kanalizohet përmes ndërtimeve.
Ekspertët e bankave pohojnë se ndikim ka dhe procesi i deeuroizimit, të nisur nga banka e Shqipërisë, por që nuk është thelbësor. Një tjetër faktor që po ndikon së fundi sipas aktorëve kryesor të tregut të këmbimit valutor janë edhe flukset e turistëve. Ata argumentojnë se duke qenë qarkullimi i lekut në minimum dhe shpenzimet e ulëta, flukset e valutës prej turizmit reflektohen në kursin e këmbimit. Tendenca rënëse e euros pritet të vijojë gjatë gjithë verës. Ekspertët argumentojnë se kjo do të jetë tendenca e euros duke qenë ecuria do të ndikohet edhe prej efekteve sezonale.
Rënia e ditës së sotme është ndikuar dhe prej nivelit të këmbimit të monedhës së përbashkët në tregjet ndërkombëtare. Sipas kursit të këmbimit të Financial Times një euro po këmbehet me 1.18 USD.