Autoritetet policore në perëndim të Zvicrës njoftuan këtë të martë sekuestrimin e një sasie prej 13.8 kilogramësh kokainë dhe arrestimin e 13 anëtarëve të një bande të trafikut ndërkombëtar të drogës.
Hetimi i zgjatur në kohë, që u realizua në bashkëpunim me policinë e Gjenevës, oficerë të doganës zvicerane dhe policinë në Holandë e Gjermani, u fokusua tek shpërndarësit e drogës me origjinë nga Afrika Perëndimore, të cilët operonin në qytetet e Yverdon-les-Bains dhe Vevey, në perëndim të Zvicrës.
Hetuesit zbuluan se banda kishte importuar me qindra kilogramë në Zvicër, megjithatë nuk specifikoi periudhën apo sasinë totale të saj. Sekuestrimi i rreth 14 kilogramëve kokainë është një prej sasive më të mëdha të kapura ndonjëherë në kantonin e Vaud.
Në një deklaratë zyrtare, policia zviceriane tha se në total, në pranga përfunduan 13 persona të moshës 28 deri në 51 vjeç.
6 prej tyre janë nigeriane, 5 prej të cilëve jetonin në Zvicër, 2 rumunë dhe 2 polakë, të cilët jetonin të Holandë, 2 gjermanë në Gjermani, si dhe një shqiptare, e cila jetonte në Zvicër.
Policia sqaroi se thuasje të gjithë korrierët e drogës ishin me origjinë europiane, ndërsa të tjerët ishin përgjegjës për menaxhimin e drogës së trafikuar.
Autoritetet sekuestruan gjithashtu rreth 90 733 Dollarë dhe 54 000 Euro kesh. Të arrestuarit mësohet se po mbahen të gjithë në Zvicër, ndërsa identitetet e tyre nuk janë bërë publike nga mediat vendase.