10 sekretet e komunikimit të udhëheqësve të mëdhenj

E mërkurë, 09 May 2018 08:15


Praktikisht është e pamundur të bëhesh një udhëheqës i madh pa qenë një komunikues i madh. Nëse një mesazh nuk zë rrënjë në thellësinë e secilit prej nesh, me siguri ai nuk do të kuptohet dhe aq më pak mbështetet.
Një komunikim efikas bëhet kështu një element i rëndësishëm i suksesit profesional, si në nivelin ndërpersonal edhe atë organizativ. Zhvillimi i një aftësie komunikuese është më e lehtë nga sa mund ta mendoni, por të jeni në gjendje ta përdorni në momentet më të përshtatshme nuk është gjithnjë e thjeshtë.Udhëheqësit e mëdhenj janë edhe dëgjues të mirë dhe vëzhgues të zgjuar: dinë të lexojnë një person ose një grup, duke perceptuar gjendjen shpirtërore, dinamikat, qëndrimet, vlerat dhe shqetësimet.
Më poshtë janë dhjetë sekrete të artit të oratorisë të Mike Myatt, një ndër ekspertët më në zë të udhëheqjes në nivel botëror, që nëse i përdorni në mënyrë korrekte, do t’ju ndihmojnë të arrini rezultate më të mira në komunikimin tuaj.
1.Mos flisni në mënyrë të prerë
Në pjesën më të madhe të rasteve, njerëzit nuk u hapen atyre që nuk u besojnë. Kur një udhëheqës është i denjë për besimin e tyre, dhe anasjelltas, ata marrin rreziqe që nuk do t’i kishin marrë kurrë nëse do të kishin përballë një person pa integritet. Të kërkosh besimin funksionon rrallë, është e rëndësishme që ju ta fitoni atë me veprimet e duhura. Kini parasysh që njerëzit falin shumë gjëra në momentin kur krijohet një besim i caktuar, por nëse besimi mungon, ata vështirë se do të falin.
2.Personalizoni
Më mirë të keni një bisedë se sa thjesht një komunikim: mendoni dialogun, jo një monolog. Dhe sa më shumë biseda është personale dhe me interes, më efikase do të jetë. Ekziston një e vërtetë e madhe: “Njerëzve nuk u intereson se sa dini deri sa nuk dinë se sa jeni vërtet të interesuar”. Nëse nuk krijoni marrëdhënie kuptimplota me njerëzit nuk do të dini kurrë se çfarë kanë në mendje deri sa nuk do të jetë shumë vonë për të bërë diçka për çështjen në fjalë.
3.Jini të qartë
Qartësia është më e mirë se dykuptimësia. Mësoni të flisni me qartësi. Duke folur thjesht dhe në mënyrë të qartë është gjithnjë më mirë se sa në mënyrë të ndërlikuar dhe konfuze. Është e rëndësishme që udhëheqësit të flasin shkurt dhe të arrijnë tek thelbi i bisedës. Pa kuptuar vlerën e një diskutimi të shkurtër dhe të qartë është e pamundur që juve t’ju jepet mundësia të shkoni në një fazë të mëvonshme, pasi njerëzit do ta humbin vëmendjen e tyre shumë më parë se sa ju të arrini në thelbin e diskutimit. Objektivi juaj është që t’u jepni vlerë fjalëve tuaja.
4.Përqendrohuni te “leave behind” dhe jo te “take away”
Oratorët më të mëdhenj jo vetëm janë të aftë për të mësuar dhe për të mbledhur informacione gjatë një komunikimi, por janë të aftë të propozojnë ide, të frymëzojnë një veprim dhe të përhapin vizionin e tyre. Kur ju përqendroheni më shumë të jepni se sa të merrni, do të keni arritur qëllimin. Edhe pse mund të duket kundër intuitive, përqendrimi në mënyrë intensive tek dëshirat dhe nevojat e palës tjetër do të mësoni shumë më shumë se sa duke u përqendruar vetëm tek axhenda juaj.
5.Jini mendjehapur
Shpesh mbyllja mendore është pengesa më e madhe ndaj mundësive të reja. Një udhëheqës guxon gjithmonë ndaj mundësive të reja, në të cilat diskuton vullnetarisht me ata që kanë mendime të ndryshme dhe të kundërta, me synimin jo për t’i bindur dhe për të ndryshuar ide, por të kuptojë argumentimet e tij. Jini të hapur ndaj dialogut, me ata që ju përballojnë, ju sfidojnë dhe ju nxisin. Kini parasysh është nuk është i rëndësishëm mendimi, por dëshira për ta diskutuar me një person mendjehapur dhe për të mësuar.
6.Heshtni dhe dëgjoni
Udhëheqësit e mëdhenj e dinë se kur duhet të flasin dhe kur duhet të heshtnin. Idetë më të mëdha zhvillohen në një bisedë dhe jo në një monolog. Kur filloni të kuptoni që dija nuk merret duke shpërdoruar frymën tuaj, por duke dëgjuar, do të keni bërë hapin e parë drejt një eksperti në të folur.
7.Zëvendësoni egon me ndjeshmëri
Kur diçka komunikohet me ndjeshmëri dhe shqetësim dhe jo me arrogancë krenare, ju do të nisni të shihni rezultatet. Oratorët që kanë ndjeshmëri shfaqin një nivel autenticiteti dhe transparence të cilat nuk i zotërojnë ata që komunikojnë pas një imazhi të krijuar me kujdes. Kuptimi i këtij parimi komunikimi do t’ju ndihmojë ta shndërroni zemërimin në respekt dhe dyshimin në besim.
8.Lexoni mes rreshtave
Merrni pak kohë dhe reflektoni për çdo udhëheqës të madh që ju vjen ndër mend: do të zbuloni që janë shumë të aftë të lexojnë mes rreshtave. Kanë aftësinë e jashtëzakonshme të kuptojnë atë që nuk thuhet, që nuk shihet, që nuk ndihet. Në këtë kohë komunikimi të menjëhershëm, të gjithë duket se kanë nxitimin e të komunikojnë atë që mendojnë pa kuptuar se sa mund të marrin nga mendja e të tjerëve. Mbani sytë dhe veshët hapur dhe gojën mbyllur dhe do të habiteni nga mënyra se si do të rritet dija juaj.
9.Njihni atë për të cilën po flisni
Nëse nuk keni përvojë në një fushë, njerëzit nuk do t’ju dëgjojnë. Njerëzit më të suksesshëm nuk kanë interes të dëgjojnë ata që nuk i japin vlerë një situate apo argumenti. Ju me siguri e keni dëgjuar shprehjen “Nuk është e rëndësishme ajo që thoni por se si e thoni”. Sigurisht që ka diçka të vërtetë në këtë thënie, edhe pse është shumë e rëndësishme ajo që thoni. Udhëheqësit e mëdhenj përballen me “çfarë” dhe me “si” në mesazhin e tyre.
10.Flisni me grupet si të ishin individë
Udhëheqësit e mëdhenj arrijnë të personalizojnë një mesazh, duke iu drejtuar dhjetë personave në një sallë konference apo 10.000 personave në një auditor sikur të ishin duke folur drejtpërdrejt me ta si një individ i vetëm.
Burimi: Forbes

Modifikuar më E mërkurë, 09 May 2018 08:44
Login to post comments