Raporti 'Coplan' dhe Financat/ Borxhi i Bashkisë Tiranë 3.9 mld lekë

E mërkurë, 09 May 2018 08:48

Reforma administrative territoriale duket se nuk i ka zgjidhur hallet e pushtetit vendor me paratë. Raporti i financave publike vendore 2017, i publikuar nga Coplan dhe Ministria e Financave zbardh borxhe në miliarda lekë që bashkitë e reja, jo vetëm kanë trashëguar nga njësitë e mëparshme vendore, por edhe kanë krijuar.

Sipas të dhënave, në total, stoku i detyrimeve deri në fund të vitit 2017 shënoi rreth 28.3 miliard lekë. Krahas detyrimeve të trashëguara prej rreth 11.8 miliard lekë në vitin 2015, stoku i detyrimeve të prapambetura të krijuara rishtazi deri në fund të dhjetorit të vitit 2017 rezultoi në rreth 16.5 miliard lekë.

“Detyrimet e krijuara rishtazi lidhen kryesisht me kontrata për investime, shpenzimeve për mallra dhe shërbime si dhe vendime gjyqësore. Përgjatë vitit 2017, bashkitë kanë shlyer rreth 19 miliard lekë duke rezultuar në një detyrim të mbetur për likuidim në vitet në vijim prej rreth 9.3 miliard lekë”, theksohet në raport.

Të dhënat tregojnë se në nivel bashkie, rreth 75% e stokut të detyrimeve të prapambetura mbartet nga 10 bashki. Nivelin maksimal të detyrimeve të prapambetura e ka bashkia Tiranë me rreth 3.9 miliard lekë ose 41.8% ndaj stokut total në fund të vitit 2017. Bashkia Lezhë renditet e dyta për nga niveli i detyrimeve të prapambetura, me rreth 529.7 milionë lekë ose rreth 5.7% ndaj totalit. Në të kundërt, bashkia Dropull rezulton të mos ketë detyrime të prapambetura për periudhën e konsideruar.

Raporti i financave vendore evidenton se detyrimet e prapambetura të bashkive u evidentuan në mënyrë sistematike duke filluar prej vitit 2015 në vijim të miratimit të VKM nr. 50/2014 “Për miratimin e strategjisë për parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të planit të veprimit” dhe udhëzimit të Ministrisë së Financave nr. 5/2014 “Për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura”.

Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në fund të vitit 2015, stoku i detyrimeve të prapambetura ishte rreth 11.8 miliardë lekë, vlerë kjo shqetësuese si në nivel vendor ashtu dhe në nivel qendror. Shlyerja u këtyre detyrimeve, pjesërisht të krijuara nga ish-komunat që iu bashkëngjitën bashkive të reja në vijim të Reformës Territoriale Administrative, përbën barrë të qenësishme për buxhetet vendore.

Në këtë kuadër, qeveria qendrore merr përsipër vetëm “shlyerjen e detyrimeve për punimet e kryera, por të papaguara në kuadër të financimeve nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve, si edhe transfertat për përfitimet e paaftësisë. Të gjitha detyrimet e tjera financiare të njësive të qeverisjes vendore, që nuk përfshihen në sa më sipër, duhet të parashikohen në vetë buxhetet e njësive të qeverisjes vendore”.

E thënë ndryshe, bashkitë duhet t’i gjejnë vetë të ardhurat që të shlyejnë borxhet, jo vetëm ato që kanë krijuar vetë, apo edhe detyrimet që i trashëguan nga ish drejtuesit e pushtetit vendorë.

Modifikuar më E mërkurë, 09 May 2018 10:57
Login to post comments