OKB, parashikim alarmues: Shqipëria, katandiset me 860 mijë banorë në...

E mërkurë, 09 May 2018 09:16

Shqipëria është nga të paktat vende në Europë që do përjetojë një tranzicion të trishtë të popullisë.

Shekulli në të cilin jetojmë do të mbyllet me rezultate fatale të popullisë së vendit sipas projeksioneve të reja te Departamentit të Popullsisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, të publikuara në faqen zyrtare të këtij institucioni ndërkombëtare.  Duke marrë në konsideratë ecurinë e popullsisë vetëm në normat bruto te lindjeve (norma e fertilitetit) sipas të gjithë skenarëve Shqipëria do të ketë ulje të popullisë së saj.

Varianti pesimist parashikon që vitin në 2100 popullsia e Shqipërisë do të jetë vetëm 860 mijë  banorë. Ndërsa skenari normal parashikon që Shqipëria të popullohet me vetëm 1 milionë e 600 mijë banorë. Skenari optimist që parashikon emigracion zero dhe ecuri normale të normave të fertilitetit parashikon që popullsia ë vendit deri në vitin 2100 të jetë 2 milionë e 800 mijë banorë, nga rreth 2,9 milionë që numërohen afërsisht aktualisht.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka rishikuar më përkeqësim treguesit e popullsisë së Shqipërisë për këtë vit në krahasim më një vit më parë. Në vitin 2017 OKB parashikoi që në vitin 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë 1,754,540 banorë me një rënie prej 1.2 milionë personash nga popullsia aktuale (2.9 milionë) sipas portalit të OKB, ndërsa sipas projeksioneve të rishikuara të këtij viti popullsia e Shqipërisë në vitin 2100 do të jetë , 1,6 mln banorë ose 100 mijë pak se projeksionet e vitit të kaluar.

Edhe sipas të dhënave kombëtare (INSTAT) popullsia e vendit po tkurret më shpejt se projeksionet e popullsisë 2011-2031. Më 1 janar 2018 popullsia ishte 18 mijë persona më pak se projeksioni zyrtar i INSTAT.

Shqipëria po humb gjithnjë e më shumë nga dividendi i saj demografik për shkak se popullsia po pakësohet me ritme të shpejta në grupmoshën e artë 0-40 vjeç teksa numri i personave mbi 65 vjeç po rritet me shpejtësi.

Sipas statistikave të fundit të popullsisë, publikuar nga INSTAT, numri i personave 0-40 vjeç pësoi rënie me 2% gjatë një viti. Në janar 2018, në këtë grupmoshë u numëruan rreth 19 mijë persona më pak se më 1 janar 2017.  Një nga shkaqet e rënies në këtë grupmoshë është emigracioni i lartë dhe rënia e numrit të lindjeve, rënia më e madhe i takon grupmoshës 10-14 vjeç, të cilët ishin 10,500 persona më pak në numër se vitin 2017.

Grupmosha e hershme 20-40 vjeç, që përbën kulmin e funksionimit fizik është pakësuar me 3777 mijë persona më 2017. Tkurrja e kësaj grupmoshe tregon humbjen e produktivitetit të forcës së punës dhe popullsisë në tërësi, pasi në këtë moshë merret vendimi për martesë dhe vihen bazat e karrierës.

Gjithashtu forca e punës shënoi rënie me 1.1%. Grupmosha 15-65 vjeç u tkurr me 2323 persona gjatë vitit 2017, teksa numri i të moshuarve ka shënuar rritje të mëtejshme.

Popullsia në mbi 65 vjeç u shtua me 11,216 persona më 2017, duke u rritur në mbi 3% brenda vitit. Për pasojë, raporti i varësisë së të moshuarve (raporti i personave në moshë +65 vjeç ndaj popullsisë në moshë pune 15- 64 vjeç) ka shënuar një rritje nga 18,9% në 19,4% gjatë së njëjtës periudhë.

Projeksionet e tregojnë se popullsia në moshë pune do të bjerë me një ritëm pak më të shpejtë se sa popullsia e përgjithshme me më shumë sesa 18% në pothuaj të gjitha qarqet, përveç atyre që e shtojnë popullsinë nëpërmjet migrimit (Tirana, Vlora dhe Durrësi).

Tirana është qarku i vetëm në të cilin parashikohet rritje e konsiderueshme në forcën potenciale të punës (me 20% deri në vitin 2031, sipas skenarit normal me shpërndarje gjeografike dhe emigrim konstant brenda vendit). Rënia më e fortë në forcën e mundshme të punës parashikohet për Gjirokastrën (me -43%), si dhe për Beratin dhe Dibrën (me të paktën -30%). Emigrantët janë në masën 90% pjesa më aktive e tregut të punës. /Monitor/

Modifikuar më E mërkurë, 09 May 2018 10:48
Login to post comments