Qeveria Rama rrit me 17% çmimin e ujit në vend, në 4 muajt e 2018

Premte, 11 May 2018 10:25

Çmimi mesatar i ujit në të gjithë vendin në katërmujorin e parë të vitit ishte 17 për qind më i lartë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, sipas të dhënave të INSTAT .

Sipas Bankës së Shqipërisë, që analizon të dhënat e INSTAT, rritja e inflacionit i atribuohet më së shumti rritjes së çmimeve të mallrave të rregulluara (ujit), të mallrave të konsumit joushqimor dhe rritjes së çmimit të qirasë ne Tirane .
Enti Rregullator i Ujit në fund të vitit të kaluar miratoi tarifat e reja për Bashkinë Tiranë, sipas të cilave çmimi i ujit për konsumatorët është rritur me 44 %. Sipas tabelave të vendimit, familjarët që jetojnë në Tiranë që nga janari po paguajnë 65 lekë/m3; institucionet publike po paguajnë 140 lekë/m3, ndërsa ato privatë 155 lekë/m3.
Banka e Shqipërisë argumentoi se inflacioni shënoi një rritje të lehtë gjatë tremujorit të parë të vitit 2018; norma mesatare e tij në këtë periudhë regjistroi vlerën 1.9%, kundrejt nivelit mesatar prej 1.8% të shënuar në tremujorin paraardhës.
Megjithatë inflacioni vijon të mbetet nën objektiv dhe balanca e presioneve inflacioniste nuk është ende e mjaftueshme për të siguruar kthimin e qëndrueshëm të tij në objektivin 3 %.
Banka e Shqipërisë parashikon se në veçanti, mbiçmimi i kursit të këmbimit në muajt e fundit do të tentojë të ulë çmimin e mallrave të importit dhe përcjelljen e presioneve të huaja inflacioniste në ekonominë vendase. Rrjedhimisht, kontributi i inflacionit të importuar në inflacionin total ra me rreth 0.6 pikë përqindje në tremujorin e parë.
Gjithashtu inflacioni në vendet partnere mbetet ende i ulët, pavarësisht momentit pozitiv të aktivitetit ekonomik. Paralelisht me to, rritja e intensitetit të mbiçmimit të kursit të këmbimit gjatë muajve shkurt e mars dobësoi më tej presionet e huaja inflacioniste.
Pritshmeritë për inflacionin qëndrojnë ende poshtë objektivit, duke frenuar rritjen e konsumit dhe të investimeve private, si dhe duke u faktorizuar në nivele më të ulëta pagash dhe në çmime më të ulëta për kontratat afatmesme e afatgjata të produkteve e shërbimeve. Monitor

 

 

 

Modifikuar më Premte, 11 May 2018 10:33
Login to post comments