Policia italiane ka arrestuar një shqiptar dhe një shtetas italian, pasi janë kapur me 1.1 kilogram kokaine të pastër si dhe janë sekuestruar 800 euro. Në pranga kanë përfunduar shqiptari me inicialet H.F., 39 vjeç, rezident në Passatempo, komuna e Osimos, dhe shtetasi italian P.C., 50 vjeç, banues në provincën e Anconas, i cili është biznesmen.
Ky i fundit është arrestuar pas sinjalizimeve të ardhura nga banorët e zonës që kishin vënë re lëvizje të dyshimta mjetesh e njerëzish. Pas arrestimit të italianit, policia ka arrestuar edhe shqiptarin, i akuzuar për ruajtjen e sasisë se kokainës. Ata njiheshin me nofkën ‘“Templarët e Osimos”.
Biznesmeni italian ishte një person i respektuar në qytet që nuk kishte pasur asnjë problem me ligjin, por me një stil jete të ekzagjeruar e përtej mundësive ekonomike, çka ka sjellë edhe zbulimin e aktivitetit të paligjshëm, shkruajnë mediat italiane. Xhiroja nga shpërndarja e kokainës shkonte në rreth 150 mijë euro në muaj.