Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, tha se kontributi i popullit të Kosovës, por edhe miqve më të mirë, e ka sjellë këtu Kosovën, duke i pasur vetëm 10 vjet ekzistencë si shtet.
Delawie foli në pritjen e organizuar nga Kryeministri Ramush Haradinaj për delegacionin nga Iowa.
“Kosova nuk ka mik më të mirë se sa SHBA’në dhe në SHBA nuk ka miq më të mirë sesa në Iowa. Ne jemi duke punuar shumë për këtë vend, por sado që bëjmë diplomaci, nuk ka diplomaci më të mirë sesa kontakti i drejtpërdrejtë me gjithë ju, të cilën ju po e dëshmoni. Faleminderit për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, të biznesit, të arsimit dhe në projektet e binjakëzimit”, tha Delawie, raporton televizioni 21.
Ndërkaq gjenerali Timothy Orr, tha se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Iowas ka arritur në këtë nivel, falë besimit të ndërsjellë.
“Përgjatë këtyre viteve që vij në Kosovë, kam qenë dëshmitar i ndryshimeve, kam qenë dëshmitar i historisë. Ne po bëjmë progres, ne po bëjmë histori, falë besimit të ndërsjellë. Bashkëpunimi ynë është model edhe për Departamentin e Shtetit, sepse ne besuam te njëri-tjetri”, tha Orr.
Në këtë ceremoni Haradinaj pranoi edhe certifikatën e nderit nga Dhoma e Përfaqësuesve të Iowas për të gjithë kontributin e dhënë në avancimin e raporteve mes Kosovës dhe këtij vendi. Zeri.info