Tirana po bëhet një vend gjithnjë e më i shtrenjtë. Çmimet e banesave në kryeqytet gjatë muajve të parë të 2018-ës, kanë shënuar rritje . Banka e Shqipërisë vetëm pak ditë më parë deklaroi një ulje të çmimit në terma real me 3.1% për banesat në Tiranë gjë e cila nuk është konfirmuar nga agjentët imobiliarë.
Këta të fundit shprehen se çmimet kanë lëvizur krahasuar me një vit më parë kryesisht në zonat e preferuara, duke kapur vlerën nga 120 euro në 160 euro për metër katror.
Por ajo që vihet re është se pavarësisht rritjes së vazhdueshme të çmimeve kërkesa për të blerë apartamente vijon të mbetet e lartë, kryesisht në zonën e ish Bllokut, te 21 Dhjetori dhe në rrugën Don Bosko.
Rritje ka pasur edhe në qeratë të cilat në zonat e preferuara kapin vlerën nga 300 deri në 700 euro.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se optimizmi rreth rritjes së çmimeve në tregun e pronave në kryeqytet ende nuk mbështetet plotësisht në shifra.
Në fakt, rritja e çmimeve është më e prekshme në ndërtimet e reja, të nisura në vitet e fundit, ku ka ndikuar pjesërisht edhe dyfishimi i taksës për ndikimin në infrastrukturë, si edhe përqindjet shumë të larta që kërkojnë pronarët e tokës.