Në tremujorin e parë të 2018-s, Facebook ka çaktivizuar rreth 583 milionë profile false dhe 837 milionë përmbajtje spam. Këto janë disa të dhëna të Raportit të Parë për Zbatimin e Standardeve të Komunitetit dhe që mbështetet në Transparency Report, i cili prej vitit 2013 merr në konsideratë kërkesat e qeverive në rrjetin social.
Ky raport trajton 6 çështje delikate, si hate speech, spam, terrorizmin, pornografinë, profilet false dhe dhunën. Facebook konfirmoi vullnetin për ta çuar në 20 mijë numrin e punonjësve dhe inxhinierëve që mbështeten tek Inteligjenca Artificiale për të zbuluar këto profile.
Përveç spam dhe profileve false, në tre muajt e parë të 2018-s, rrjeti social ka eliminuar ose etiketuar si potencialisht të rrezikshme rreth 3 milionë e gjysmë përmbajtje të dhunshme, duke fshirë 2 milionë e gjysmë përmbajtje që nxisnin urrejtjen. Janë eliminuar 1,9 milionë përmbajtje që lidheshin me propagandën terroriste të ISIS dhe fshirë 21 milionë përmbajtje pornografike.
“Kemi ende shumë për të bërë për të parandaluar abuzimet, parametrat nuk janë të përsosur dhe duhet të përmirësojmë proceset tona të brendshme dhe teknologjinë. Puna është në evolucion të vazhdueshëm – nënvizon Alex Schultz, zëvendëspresident i Analytics në Facebook. – Nga njëra anë, Inteligjenca Artificiale, edhe pse është premtuese, është ende larg për të qenë efikase për shumë përmbajtje që shkelin standardet tona, si në rastin e identifikimit të përmbajtjeve me urrejtje, ku konteksti është tepër i rëndësishëm”.
Ndërsa, sipas Transparency Report, janë rritur kërkesat nga ana e qeverive për Facebook. Në gjashtëmujorin e dytë të 2017-s, kërkesat që lidheshin me profilet janë rritur në nivel global me 4% krahasuar me 6 muaj më parë, nga 78.890 në 82.341 kërkesa. Ky raport publikohet nga rrjeti social që nga viti 2013.
“Kontrollojmë çdo kërkesë nga ana e qeverive për t’u siguruar që është ligjërisht e vlefshme”, – thotë Chris Sonderby, zëvendësdrejtor i përgjithshëm.