Një muaj e gjysmë pas përfshirjes në skemën e TVSH-së, biznesi i vogël po vuan kostot e paralajmëruara më herët, teksa pretendon se deri në fund të vitit do të mbyllen 350 mijë vende pune. Kreu i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm, Albert Nasto, bën të ditur se ky numër mund të rritet akoma më shumë, pasi shumica e bizneseve kanë të punësuar familjaret e tyre në aktivitetin tregtar që ushtrojnë. Nga ana tjetër, ai thekson, se deri në fund të vitit 2018 do të mbyllen 50 mijë biznese, të cilat nuk kanë mundësi që të paguajnë taksat e larta që tashmë janë në fuqi, ku Nasto thekson, se ata janë të detyruar që të paguajnë 5-fish më shumë seç kanë paguar më parë. Sa i përket hapave të mëtejshëm, Nasto konfirmon për Ekonomix.al se protestat do të jenë të fuqishme, për ta detyruar qeverinë që të kthejë vendimin mbrapsht, sipas standardeve të Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe institucioneve të tjera bankare. Nasto ka paralajmëruar rinisjen e protestave masive të biznesit të vogël dhe të mesëm, pasi ky i fundit e ka të pamundur përballimin e TVSh-së, vendim që u mor nga Qeveria dhe nisi së zbatuari më 1 Prill të këtij viti. Vetëm pak kohë më parë, biznesi i vogël dhe ai i mesëm mbyllën qepenat në shenjë revolte ndaj vendimit të qeverisë, për përfshirjen e tyre në skemën e TVSH-së, lëvizje që u mbështet edhe nga opozita. Edhe kreu i grupit demokrat, Edmond Spaho pati deklaruar, se ky vendim e ka zanafillën në një tjetër Partneritet Publik-Privat të qeverisë, që ka të bëjë me faturat tatimore. Ekonomix.al