EUObserver i ka kushtuar një artikull perspektivës së BE në Ballkanin perëndimor.
Në artikullin me titull: “Perspektiva e BE-së në Ballkanin Perëndimor e kundërshtuar nga Rusia”, EUObserver shkruan se:
Udhëheqësit e BE po përgatiten të ritheksojnë zotimet e tyre për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor të enjten më 17 maj në Sofje.
Në këndvështrimin e EUobserver, në deklaratën e së enjtes liderët e BE-së planifikojnë të thonë se “BE ripohon mbështetjen e saj të qartë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.”
“Duke u mbështetur në progresin e arritur deri më tani, partnerët e Ballkanit Perëndimor kanë përkrahur përsëri perspektivën evropiane si zgjedhjen e tyre strategjike,” kanë për qëllim të thonë ata. Ky samit do të jetë i pari i llojit të tij që kur BE u zotua për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor në Selanik, Greqi, 15 vjet më parë.
Takimi i Sofjes u hartua për të përshpejtuar pranimin pasi Komisioni Evropian tha se Mali i Zi dhe Serbia mund të bashkohen brenda vitit 2025. Komisioni gjithashtu ka vënë Shqipërinë dhe Maqedoninë në garë duke rekomanduar hapjen e negociatave me BE.