PS dhe PD kanë hedhur sot akuza të forta ndaj njëra tjetrës në lidhje me audio-përgjimin e publikuar për Agron Xhafaj, por ajo që ndezi më shumë situatën ishte publikimi i dëshmisë së dëshmitarit ‘x’, Albert Veliu i cili deklaroi se audio-përgjimi është i vërtetë dhe biseda me Agron Xhafajn ishte reale, ndërsa foli edhe për trafikun e drogës që kishte kryer me vëllain e ministrit.
Por pas kësaj deklarate të tij PS i kërko PD-së ta dorëzonte Veliun, pasi sipas tyre PD e dinte vendndodhjen e tij, duke akuzuar se e gjitha ishte inskenim i tyre.
Por ku ndodhet dëshmitari ‘x’?
Gazetari Artur Çani, deklaroi në ‘Fax News’ se familja e tij është kërcënuar dhe ndodhet jashtë Shqipërisë, ndërsa ai vetë është kapur duke u larguar drejt Kosovës në një taksi.
“Di që njerëzit e shtëpisë së tij janë jashtë Shqipërie pasi janë kërcënuar, ky është kapur duke u larguar jashtë Shqipërie, në një taksi duke tentuar të largohet drejt Kosovës”, tha Çani pa dhënë detaje të tjera për vendndodhjen.
I pyetur nëse i rrezikohet jeta, Çani tha se nuk e beson një gjë të tillë pasi çështja e tij u bë e njohur dhe vetë ai doli në pah.
“Por tani më duket pak e vështirë që jetën ta ketë të rrezikuar, ndoshta më parë e kishte pasur më të rrezikuar por jo tani që doli në sipërfaqe”, tha ai.
Në lidhje me audio-përgjimin dhe ministrin Xhafaj, Çani deklaroi se pozicioni i ministrit është shumë i vështirë pasi kanë dalë shumë detaje tashë për këtë çështje.
Ai u shpreh se grupi i Agron Xhafajn e zëvendësoi atë të Habilajve që mbështetej nga Tahiri, dhe kjo sipas tij është e ditur në Vlorë, duke shtuar se mund të jetë edhe shkaku i përplasjeve brenda maxhorancës.